Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Enjte, 13.06.2019




Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka shqyrtuar një varg raportesh vjetore të shpenzimeve për vitin 2018, disa kërkesa buxhetore dhe dy projektligje.
Fillimisht është shqyrtuar Raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për tre mujorin e parë të këtij viti, të cilin para komisionit e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Duke paraqitur këtë raport, sekretari i kuvendit Krasniqi, në mënyrë të detajuar ofroi të dhëna dhe sqarimet e nevojshme lidhur me shpenzimet.
Me këtë rast, ai nënvizoi duke thënë se, gjatë kësaj periudhe kohore, shpenzimet e Kuvendit janë realizuar si në vijim: për paga dhe mëditje 1.579.778 €, ose 100% e buxhetit të ndarë, mallra dhe shërbime 226.926 €, ose 37,81% e buxhetit të ndarë, shpenzime komunale 71.159 €, ose 85,74% e buxhetit të ndarë, subvencione dhe transfere 35.166 €, ose 95% , ndërsa bëri të ditur se gjatë këtij tre mujori, Kuvendi nuk ka pasur shpenzime kapitale.
Në vijim, sekretari i Kuvendit është përgjigjur në pyetjet dhe shqetësimet që ngritën anëtarët e komisionit, duke bërë të ditur se, shpenzimet në Kuvend, mund të realizohen vetëm duke u bazuar në një vendim paraprak nga organet kompetente, përkatësisht, Kryesia e Kuvendit.
Pas kësaj, raporti është hedhur në votim, por që nuk pati përkrahje të mjaftueshme për miratimin e tij, ndërkaq, është miratuar kërkesa buxhetore e Kuvendit të Kosovës, bazuar në Qarkoren Buxhetore 2020/01, të cilën po ashtu e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Janë shqyrtuar dhe miratuar më pas edhe projektligji nr. 06/L-100 për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe amendamenteve të Komisionit Funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L -176 për hetim parlamentar dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion.
Në vijim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi edhe dy raporte vjetore financiare: Raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018, si dhe Raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2018.
Raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018, e paraqiti udhëheqësi i këtij institucioni Besnik Osmani, i cili vuri në dukje performancën dhe angazhimet e tyre gjatë vitit që shkoi. Lidhur me këtë, Komisioni vendosi ta miratoi atë dhe ta procedojë tutje për shqyrtim final në seancë plenare të Kuvendit.
Për sa i përket Raportit vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2018, të cilin e paraqiti drejtori i RTK-së Ngadhënjim Kastrati me bashkëpunëtorë, komisioni, ndonëse e shqyrtoi atë vendosi që të mos e hedh në votim.
Ky vendim u mor me arsyetimin se, komisioni, paraprakisht duhet të ketë raportin e Auditorit të Përgjithshëm lidhur me performancën buxhetore të RTK-së.
Në fund të kësaj mbledhjeje, është diskutuar lidhur me kërkesën nr. 590, dt. 16.04.2019 të KOSTT-it, lidhur me çështjen e pagave.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet