Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Marte, 11.06.2019
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, udhëhequr nga Daut Haradinaj, kryetar, shqyrtoi sot raportin vjetor për vitin 2018 të Autoritetit rregullator për ujëra.
Zv/drejtori i këtij Autoriteti, Xhelal Selmani, prezantoi në mënyrë kronologjike raportin vjetor të vitit 2018, duke shtuar se ky institucion ka përmbushur objektivat e parapara me planin e punës dhe atë strategjik, duke pasur parasysh ngritjen e nivelit të shërbimeve të ujit dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve. Ai shtoi se ARRU-ja vazhdon të zbatojë praktikat më të mira rregullatore në rajon.
Deputetët nga ana e tyre shtruan pyetje lidhur me faturimin e matjeve të ekonomive familjare dhe të bizneseve. Po ashtu u ngrit edhe çështja e rritjes së tarifave për ekonomitë familjare dhe zbritja e tarifave për bizneset, e përgjegjësisë së kompanisë së ujit kundrejt kërkesave të qytetarëve etj.
Pas përgjigjeve dhe sqarimeve nga përfaqësuesit e ARRU-së, komisioni miratoi raportin vjetor të Autoritetit rregullator të ujit për vitit 2018.
Në këtë takim, anëtarët e komisionit proceduan në seancë plenare rekomandimin e auditimit të performancës, procesin i menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë.
Në vazhdim komisioni takoi tre përfaqësues të shoqatave aksionare për farëra të kungujve, llaktofriza dhe të qumështit, të cilët paraqitën shqetësime lidhur me parregullsitë e mjeteve bujqësore që u bëhen me kodet doganore. Sipas tyre, shumica e mjeteve bujqësore ngatërrohen nga doganat e për të cilat duhet të paguajnë tarifa të larta dhe TVSH.
Anëtarët e komisionit u dakorduan që në mbledhjen e radhës në komisionit t'i thërrasin për raportim përfaqësuesit e lartë të Doganës së Kosovës, për tu sqaruar lidhur me shqetësimet e përfaqësuesve të shoqatave bujqësore.