Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Hënë, 03.06.2019
Sot, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbajti takimin e radhës, udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar.
Para Komisionit u paraqit kryetari i Komunës së Dardanës, Qëndron Kastrati, i cili paraqiti një raport të hartuar nga komuna, në bashkëpunim me Grupin TLP, me qëllim të reformimit të sistemit të arsimit në Kamenicë, duke synuar një arsim dhe edukim sa më cilësor.
Në këtë raport është bërë një analizë sa i përket reformave në arsim, duke vënë në pah shqetësimet me të cilat përballen si komunë në fushën e arsimit. Ai tha se shqetësimet kanë të bëjnë me numrin e vogël të nxënësve dhe numrin e madh të shkollave dhe të mësimdhënësve.
"Nëpërmjet kësaj analize dhe tërë kësaj reforme të thellë në arsim në Komunën e Kamenicës, synohet arsim sa më cilësor, duke pasur në qendër nxënësin", theksoi Kastrati.
Sipas këtij raporti parashihet fuzionimi i shkollave, por pa u dëmtuar mësimdhënësit, nxënësit dhe as komuniteti.
"Numri i shkollave parashihet që të reduktohet nga gjithsej 29 shkolla, në 10 sosh, pra 2/3 e shkollave duhet të mbyllen, mësimdhënësit do të angazhohen në forma të ndryshme, ndërsa nxënësve do t'iu sigurohet transporti", shtoi më tej Kastrati.
Kryetari i Komisionit, Ismail Kurteshi theksoi se do të duhej që Ministria e Arsimit të hartojë një strategji për këtë çështje.
"Ministria e Arsimit është dashur të ulet e të diskutojë për hartimin e një strategjie në nivel vendi", theksoi Kurteshi.
Në vazhdim fjalën e morën gjithashtu edhe anëtarë të tjerë të komisionit, të cilët paraqitën idetë dhe mendimet e tyre në lidhje me temën në diskutim.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe shkresa e profesorit dhe studiuesit Avni Presheva, drejtuar Komisionit.
Sa i përket arsimit në përgjithësi, studiuesi Presheva, i cili ishte i pranishëm në mbledhje, theksoi një varg problemesh me të cilat përballet vendi, duke filluar nga Akademia e Shkencave, me botimin e fjalorit, e gjerë te Fakulteti i Edukimit dhe nevoja imediate e ndërrimit të emrit të tij.
"Propozoj ndërrimin e emrit të fakultetit, nga fakulteti i Edukimit në Fakulteti i Mësuesisë, sepse këtu fakulteti po bie në kundërshtim me vetveten", theksoi ndër të tjera Presheva.