Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Mërkure, 29.05.2019




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua raporti i performancës së Zyres Kombëtare të Auditimit, për vitin 2017, së bashku me Pasqyrat Vjetore Financiare të audituara.

Pas prezantimit të raportit nga auditori i përgjithshëm Besnik Osmani, i cili shpalosi në detaje aktivitetet e ZKA-së, Komisioni vlerësoi se raporti është përmbajtësor, duke dhënë në vijim edhe një varg sugjerimesh për auditorin.

Po ashtu, u ngritën edhe një varg çështjesh dhe shqetësimesh, të cilit kishin të bënin kryesisht me çështjen e pagave të auditorëve të ZKA-së, si dhe statusin e tyre, bazuar në ligjin e ri për pagat. Për këtë u vlerësua se duhet të bëhen ndryshime ligjore që lidhen me zyrën e auditorit, ndërkaq u vnedos që fillimisht të kërkohen të dhëna me shkrim nga ZKA. Pas kësaj, Komisioni do të vendosë se si të procedohet më tutje kjo çështje.

Ndërkaq, raporti i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, për vitin 2017 u përkrah nga komisioni.

Në vijim, Komisioni miratoi edhe rekomandimet për Raportin e Auditimit të raporteve vjetore financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike, për vitin 2017.

Ndërsa, sa i përket shqyrtimit të raportit të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2018, kjo çështje u hoq nga rendi i ditës, për shkak të mosprezencës së ministrit në këtë takim dhe do të shqyrtohet në mbledhjen tjetër të radhës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike