Lajmet e fundit

Dëgjim Publik i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit

E Mërkure, 22.05.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mbajti dëgjim publik lidhur me diskutimin e Projektligjit për Referendum. Të ftuar ishin edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe nga shoqëria civile
Drejtuesja e komisionit, Albulena Haxhiu hapi diskutimin duke theksuar se projektligji është më se i nevojshëm dhe duhet një diskutim më i gjerë me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, grupet e interesit si dhe me qytetarët, të cilët duhet të pyeten për disa çështje, pasi Kosova nuk ka pasur ligj për Referendum.
Përfaqësuesi i zyrës së Presidentit, Besim Kajtazi, u shpreh se ky draftligj i paraqitur sot, bie ndesh me Kushtetutën tonë. Ai qartësoi se praktika që po kërkohet të zbatohet është një praktikë jo profesionale, sepse është bazuar mbi një praktikë zvicrrane pa u lexuar Kushtetuta e Kosovës.
Të njëjtën vërejtje kishte edhe deputeti i Nismas, Bilall Sherifi. Ndërsa deputeti Sami Kurteshi, vuri në pah disa nga vërejtje lidhur me draftligjin në fjalë. Ai theksoi se afatet e shkurtëra të nënshkrimeve duhet të rregullohen bashkë me terminologjinë, si dhe rëndësia e referendumeve duhet të dallohet.
Deputetja Pantina kërkoi që Projektligjet që vijnë nga Qeveria, të jenë më të plota dhe për këtë projektligj duhet të mbahet një lloj punëtorie bashkë me qytetarët, me anë të së cilës do të arrihet të finalizohet më mirë ligji.
Ndërsa, Përparim Kryeziu përfaqësues i Grupit për Studime Juridike kërkoi që të mos kufizohen qytetarët e Kosovës përmes ligjit të Referendumit. Sipas tij neni i draftligjit, i cili e ndalon referendumin për territorin e Kosovës, duhet të largohet.
Të pranishëm në diskutime ishin edhe përfaqësues KQZ-së, të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të Shoqërisë Civile.

Dëgjim Publik i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit