Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Hënë, 20.05.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka vazhduar sot mbledhjen plenare, të ndërprerë më 16 maj 2019, përkatësisht Formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Fillimisht, fjalën e mori kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i bëri një elaborim të hollësishëm iniciativës së tij për krijimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovës dhe nevojës për konkretizimin e saj.

Ai tha se Kosova ka fakte të pamohueshme, madje edhe nga arkivat serbe, që dëshmojnë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.

"Kosova ka fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të bollshëm. Duke u nisur nga e vërteta që e kemi parë dhe përjetuar vetë ne, familjet tona, kombi ynë. Kosova ka aq shumë dëshmitarë të gatshëm për të dëshmuar, përfshirë edhe ata që kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto krime. Po flas për kryesit e tyre të penduar! Po flas për ata që kanë parë masakrat, dinë për to, kanë qenë pjesë e tyre, që janë marrë me varrime, zhvarrime e bartje kufomash. E them me përgjegjësi të plotë: Kosova ka dëshmi", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se Kosova posedon shumicën dërrmuese të dëshmive që faktojnë gjenocidin serb dhe ka të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin shtetëror të gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe joserbët në Kosovë.

Veseli tha se deputetët tani duhet të vendosin vetë nëse do t'i thonë ‘po' iniciativës për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, apo t'i thonë ‘po' heshtjes, shpërfilljes dhe mohimit.

Ai përsëriti edhe njëherë se Flora Brovina bëri gabim të rëndë me publikimin e fotografisë.

"Ajo është viktimë e gjenocidit serb. Sado që është gabim i madh është edhe pasojë e gjenocidit serb. Si individë duhet marrë parasysh rrethanat e saj jetësore dhe kontributet e saj dhe jo për të tentuar për të linçuar apo për të nxitur komplot politik. Nuk na duhej një foto as qindra për ta dëshmuar këtë, sepse qindra gra të dhunuara ende presin drejtësi për të dëshmuar", tha Veseli.

Në emër të GP të LDK-së, kryetari i këtij grupi, Avdullah Hoti, theksoi se pas zhvillimeve të 16 majit, kjo seancë nuk mund të vazhdojë. Ai tha se iniciativa e kryeparlamentarit për themelimin e një tribunali për krimet e Serbisë në Kosovë, nuk është bërë siç duhet. Sipas tij, ka pasur nevojë për një koordinim me të gjitha grupet parlamentare.

Duke folur për publikimin e fotografisë nga deputetja Brovina, Hoti tha se veprimi saj shkaktoi shumë dëme, në veçanti duke e dëmtuar dëshminë në Kongresin Amerikan për rastet e dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Glauk Konjufca, në emër të GP të Vetëvendosjes, tha se ideja për tribunalin ndërkombëtar është një tallje ne viktimat, pasi që, sipas tij, një tribunal i tillë krijohet nga OKB-ja. Ai tha se po të ishte prioritet dënimi i krimeve të Serbisë, nga viti 1999 e deri më sot, ky proces do të ishte përfunduar.

"Ko seancë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Është pafytyrësi të kërkohet tribunal prej OKB-së, kur ne vetë në Kosovë nuk kemi bërë asgjë për krimet e Serbisë", theksoi Konjufca, duke paralajmëruar braktisjen e seancës, bashkërisht me deputetët e GP të LDK-së.

Pas kësaj, deputetë të të dyja grupeve lëshuan sallën.

Në vazhdim, fjalën e mori kryetari i GP të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se kërkesa për të mos votuar formimin e komisionit shtetëror, i cili, sipas tij, i jep drejtim krijimit të tribunalit, është, siç tha ai, marrje e anës e atyre që për 20 vjet e kanë mohuar këtë gjenocid.

"Qëndrimi i tyre është më shumë i frikshëm se sa i turpshëm, duke mos guxuar të marrin përgjegjësi si deputetë, për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb", tha Krasniqi. Ai kërkoi që të mos ndalet iniciativa dhe të vazhdohet tutje me pikat e parapara.

Në emër të GP të PSD-së, deputeti Dardan Molliqaj tha se tema e seancës së kaluar, ndonëse është nisur me vonesë dhe protagonizëm, i tejkalon të dyja palët. Megjithatë, ai tha se nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë më 16 maj.

Molliqaj tha se kërkohet përgjegjësi personale e deputetes Brovina ose përgjegjësi e GP të PDK-së. Ai gjithashtu tha se LDK dhe VV nuk guxojnë që për inate personale e partiake ta lëshojnë sallën dhe të mos votojnë që Kosova të kërkojë tribunal për gjenocidin serb.

Fjalën e mori edhe kryetari i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili e konsideroi të pakuptimtë veprimin e dy partive opozitare për braktisjen e sallës.

Ai tha se duhet vazhduar punën me pikat e përcaktuara në rend dite, me formimin e komisionit shtetëror i cili do të gjejë rrugën për formimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë dhe pikat e tjera. Isufi tha se krimi nuk vjetrohet dhe botës i duhet faktuar se krimi dhe gjenocidi serb në Kosovë kanë ndodhur.

Qëndrimin për të çuar më tej iniciativën, në emër të GP të Nismës e shprehu kryetari i këtij grupi, Bilall Sherifi. Ai tha se publikimi i fotografisë nga ana e deputetes Brovina ka qenë një gabim, i cili e ka dëmtuar këtë çështje, por, sipas tij, jo në ato përmasa sa të ndalet kjo iniciativë. Përkundrazi, ai tha se kjo duhet të jetë edhe një arsye shtesë për të kërkuar drejtësi për krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Edhe GP 6+, nëpërmjet deputetit Albert Kinolli, konfirmoi qëndrimin në mbështetje të iniciativës për krijimin e tribunalit. Ai tha se ky grup parlamentar është i shqetësuar dhe bashkëndien me familjet e viktimave dhe të gjithë qytetarët, të cilët sot i kanë sytë kah Kuvendi dhe presin nga ai të marrë vendim të rëndësishëm.

Në vazhdim, fjalën e morën edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, kryesisht nga radhët e pozitës, të cilët shprehen qëndrimet e tyre për nevojën e krijimit të tribunalit për Serbinë.

Në fund të debatit, fjalën e mori serish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh iniciues, i cili bëri thirrje deputetëve të opozitës që ta mbështesin iniciativën për formimin e Tribunalit për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë.

Veseli siguroi edhe familjarët e të pagjeturve dhe viktimave të gjenocidit serb në Kosovë se iniciativa për tribunalin do të shkojë deri në fund dhe kriminelët serbë do të dalin para drejtësisë.

"Sot në Kuvend nuk është dashur të ketë parti politike, sepse kur janë vrarë qytetarët tanë, Serbia nuk i ka ndarë në parti. Sot, pavarësisht çdo interesi apo inati, është dashur të ketë vendim të mençur dhe të matur, me qëllim vetëm të ardhmen. Kjo iniciativë nuk do të ndalet. As që mund ta ndalë dikush", tha Veseli.

Seanca ndërpreu punimet, deri në njoftimin e radhës.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit