Lajmet e fundit
Veseli takoi përfaqësuesit e disa partive opozitare nga Shqipëria
E Hënë, 06.05.2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim një delegacion të disa partive opozitare në Shqipëri, të kryesuar nga Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.
Kryeparlamentari Veseli dhe përfaqësuesit politikë nga Tirana diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë e Shqipëri, sfidat me të cilat po përballen të dyja vendet në proceset zhvillimore e euro-integruese, si dhe për avancimin e marrëdhënieve të mëtejme midis dy vendeve.
Bashkëbiseduesit shtruan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë në të gjitha fushat dhe në kapërcimin e sfidave të përbashkëta në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet e përgjithshme politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli, pasi shprehu mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga Shqipëria ndër vite, tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesit e partive opozitare nga Shqipëria e falënderuan Kryeparlamentarin Veseli për mirëpritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me gjitha forcat politike shqiptare.