Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion në Doganën e Kosovës

E Enjte, 02.05.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në vazhdën e takimeve, u takua sot me drejtorin e përgjithshëm të Doganës së Kosovës Bahri Berisha.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, potencoi se qëllimi i këtij takimi është mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe identifikimi nga afër i sfidave dhe pengesave gjatë këtij zbatimi.

Gjatë takimit u theksua se ligji është miratuar me procedurë të përshpejtuar dhe tani po haset në probleme gjatë zbatimit të tij, prandaj dhe është vendosur që të ketë mbikëqyrje të zbatimit të tij.

Kryetarja Haxhiu shprehu interesim se kur janë caktuar zyrtarët përgjegjës në këtë institucion, nëse ka pasur trajnime për zyrtarët në lidhje me këtë ligj, cilat janë pengesat që dogana po has gjatë zbatimit të këtij ligji etj.

Drejtori Berisha tha se janë njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit me hyrjen në fuqi të ligjit dhe se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara sa i përket zbatimit në plotëni të tij. Ai bëri të ditur se është caktuar zyrtari përgjegjës, siç parashihet në ligj.

Sa i përket trajnimit të stafit, Berisha tha se ka pasur trajnime të tilla. Më tej u theksua se janë trajtuar edhe rastet që potencialisht mund të kenë pasur konflikt të interesit. Ai tha se një rast është duke u trajtuar dhe është kërkuar edhe opinion ligjor nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Sa i përket Rregullores së brendshme, drejtori Berisha tha se fusha e konfliktit të interesit mbulohet me aktet nënligjore të cilat i ka nxjerr ky institucion që nga viti 2002. Sipas drejtorit Berisha, neni 13 shihet si sfidë në zbatimin e këtij ligji.

Anetarët e komisionit do të vazhdojnë takimet në institucionet tjera për të pare nga afër sfidat në zbatim të këtij ligji.

 

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion në Doganën e Kosovës