Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione

E Mërkure, 17.04.2019




Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, të cilin e kryesoi deputetja zonja Duda Balje, e mbajti sot takimin e radhës në të cilin pika kryesore e rendit të ditës ishte diskutimi lidhur me peticionin e Kryesisë së lidhjes së sindikatave të pavarura të Elektro Kosovës, lidhur me mos zbatimin e Vendimit Gjykatës themelore në Prishtinë për kthimin e punëtorëve në punë.

Në këtë takim, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për zhvillim ekonomik... Institucionit të Avokatit të popullit, në krye me Hilmi Jasharin, si dhe përfaqësuesit nga KDI.

Në këtë takim duke folur për këtë temë, kryetari i Kryesisë së lidhjes së sindikatave të pavarura të Elektro Kosovës, z. Hysni Gashi theksoi se KEDS-i para dy vitesh ka larguar nga puna gjithsejtë 100 punëtorë si tepricë teknologjike, pastaj, pas ankesave që këta punëtorë ia kanë drejtuar Inspektoratit të punës së Kosovës dhe Gjykatës komunale në Prishtinë, këto dy institucione kanë nxjerrë vendim që këta punëtorë janë larguar nga puna pa drejtësisht dhe se sa më parë duhet kthyer në punë. Në fund të ekspozeut të tij, z. Gashi theksoi se ata presin që ky Komision të ndihmojë për zgjidhjen e kësaj situate, që do të thotë se duhet të zbatohet Vendimi i Gjykatës komunale në Prishtinë, për kthimin e punëtorëve në vendet e tyre të punës.

Në vazhdim të takimit, përfaqësuesja e Ministrisë për zhvillim ekonomik, zonja Emsala Limani tha se kjo Ministri ka informata se rasti aktualisht është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe se ata si ministri kanë qenë të detyruar ta mbikëqyrin implementimin e Marrëveshjes së nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe KEDS-it, për mos largimin e punëtorëve nga puna për tri vjet, nga dita e privatizimit të KEDS-it.

Avokati i Popullit, zoti Hilmi Jashari theksoi se pasi që ekziston vendimi i Gjykatës në Prishtinë, këta punëtorë duhet të kthehen në vendet e tyre të punës dhe ai vendim duhet që të implementohet në tërësi nga menaxhmenti i KEDS-it, dhe se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut.

Në fund të këtij takimi, Komisioni nxjerri vendim që në kuadër të kompetencave të dërgojë letër Ministrit për zhvillim ekonomik, zotit Valdrin Lluka si dhe përfaqësuesit të menaxhmetit të KEDS-it, dhe se nga ata të kërkohen informata detaje lidhur me këtë rast për mos zbatimin e Vendimit të Gjykatës komunale në Prishtinë për kthimin e 100 punëtorëve të KEDS-it në vendet e tyre të punës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione