Lajmet e fundit
Deputetja Emini takoi kryetaren e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, Vesa Ibrahimi
E Premte, 31.03.2017
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, u takua sot me Vesa Ibrahimin, kryetare e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor
Në takim u diskutua lidhur me rëndësinë e ratifikimit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë (RYCO), si dhe rëndësinë lidhur me bashkëpunimin e Komisionit për Integrime Evropiane me Këshillin Qendror për Veprim Rinor.
Kryetarja Emini shprehu kënaqësinë e saj për ratifikimin e Marrëveshjes RYCO nga ana e Parlamentit, si dhe e njoftoi znj. Ibrahimi me angazhimin dhe veprimet e ndërmarra deri më tani me qëllim të sqarimit të rëndësisë së ratifikimit të kësaj marrëveshjes, por edhe me veprimet që është duke i ndërmarr me qëllim të fuqizimit të rinisë.
Ndërsa znj. Ibrahimi e njoftoi kryetaren Emini lidhur me aktivitetet e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, si dhe për planet e këtij këshilli. Ajo tha se këshilli Qendror i Veprimit Rinor është themeluar më 30 prill 2011 dhe zyrtarisht ka pranuar njohjen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më 12 gusht 2011, në ditën ndërkombëtare të Rinisë.
"Në bazë të ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, KQVR është institucioni më i lartë për përfaqësimin e të rinjve në Kosovë, duke përfshirë Këshillat e Veprimit Rinorë Lokal (KVRL) nga 38 komuna, parlamentin studentor, po ashtu organizatat dhe inciativat qytetare që përfshinë të gjitha komunat në Kosovë", theksoi Ibrahimi.
Duke shprehur përkrahjen e saj të parezervë për fuqizimin e rinisë, kryetarja e komisionit tha në këtë situatë izoluese në të cilën ndodhen të rinjtë e Kosovës, nevoja për të bashkëpunuar me të rinjtë nga rajoni është e domosdoshme dhe si e tillë duhet të mbështetet nga çdo kush. Ajo shfaqi shpresën se tani, pas ratifikimit të Marrëveshjes RYCO nga ana e Kuvendit të Kosovës, do të ketë hapa pozitivë edhe në drejtim të bashkëpunimit me të rinjtë e rajonit.