Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare

E Premte, 31.03.2017




Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, u shqyrtua dhe u përkrah në parim Projektligji për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, që u prezantua nga Ferat Shala, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në vijim, deputetët votuan edhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, si dhe për Propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, meqë nuk pati vota të mjaftueshme për vendimmarrje, këto çështje u shtynë për një mbledhje tjetër të radhës.

Tutje, Kuvendi me shumicë votash miratoi dy projektligje: Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive dhe amendamentet e komisionit funksional, si dhe Projektligjin për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ndërsa, sa i përket Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma, kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Duda Balje, kërkoi nga deputetët që kjo çështje të kalojë në Kuvend në lexim të tretë. Pasi që shumica e deputetëve ishin të pajtimit që ky ligj të trajtohet edhe një herë nga komisioni përkatës, kryesuesja e seancës, nënkryetarja Dërguti, sqaroi se kjo çështje është në kundërshtim me rrregulloren dhe kjo mund të bëhet vetëm në rastin kur projektligji dhe amendamentet e komisionit nuk marrin votat e duhura. Kjo, sipas saj, duhet rregulluar përmes votimit.

Me këtë rast, amendamenti nuk mori vota të mjaftueshme dhe u shty për seancën e radhës.

Më pas, Kuvendi ka formuar Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, ndërkaq, deputetët kanë përfunduar raundin e parë me votim të fshehtë për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Meqë kandidatët e propozuar: Radojka Trifunoviq e Ivica Ivanoviq, nuk morën votat e mjaftueshme për anëtar të KGJK-së gjatë këtij raundi, deputetët u pajtuan që këtë proces të votimit ta bëjnë pas mbajtjes së një pauze.

Megjithatë, në mungesë kuroumi, Kuvendi ndërpreu punimet. Nënkryetarja Dërguti theksoi se për mbajtjen e vazhdimit të kësaj seance do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenare