Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Mërkure, 29.03.2017
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i udhëhequr nga Xhevahire Izmaku, kryetare, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ishte i ftuar për raportim ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.
Kryetarja Izmaku kërkoi nga ministri Yagilar që t'i informojë anëtarët e komisionit lidhur me reformat e administratës publike dhe çështjet tjera legjislative ne këtë dikaster.
Ministri Mahir Yagilar, para komisionit prezantoi reformat e ndërmarra nga ministria që ai drejton, e cila, siç theksoi ministri, është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asaciimit.
"Procesi i reformës së administratës publike kornizohet jo vetëm me dokumente të planifikimit strategjik, por edhe me legjislacionin primar dhe legjislacionin tjetër të nevojshëm. Ekzistojnë dokumente që përmbajnë të pakon strategjike për reformimin e administratës publike, e cila përbëhet nga strategjia për modernizimin e administratës publike 2015-2020, strategjia për rregullimin më të mirë për ligjet e Kosovës 2017-2021, strategjia për përmirësimin dhe planifikimin e koordinimit të politikave, si dhe strategjia për reformën e financave publike të Kosovës, në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian dhe me parimet e SIGMA-së", theksoi ministri Mahir Yagcilar.
Ai shtoi se MAP-i, me ndihmën e SIGMA-s, ka hartuar dokumentet e nevojshme për hartimin e pakos se legjislacionit për reformë të administratës publike, siç janë: dokumenti për Ligjin për organizimin e administratës publike, koncept-dokumentin për Ligjin për pagat në sektorin publik dhe koncept-dokumentin për shërbimin civil në Republikën e Kosovës. Yagcilar potencoi se Komisioni Evropian ka kërkuar që të trajtohen dhe të shqyrtohen si pako në të njëjtën kohë.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje në adresë të ministrit dhe u dakorduan që përgjigjet t'i marrin me shkrim gjatë ditëve në vijim.
Në vazhdim të mbledhjes së sotme, kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, Shkëmb Manaj, me përfaqësues të tjerë të këtij institucioni, paraqiti para komisionit raportin e punës të KPMSHC-së për vitin 2016.
Manaj tha se raporti përmban të dhëna dhe informata të detajuara për të gjitha aktivitetet dhe punët e kryera nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ai tha se në raport përfshihen të dhëna për punët e kryera në kuadër të funksionit të zgjidhjes së ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, funksionit të vëzhgimit të procedurës së emërimit të nëpunësve civilë të nivelit drejtues dhe funksionit të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil.
"Këshilli, gjatë vitit 2016, ka arritur të shqyrtojë dhe vendos në mënyrë meritore për 571 ankesa të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, prej të cilave 514 ankesa të pranuara gjatë vitit 2016 dhe 57 ankesa të cilat janë bartur nga viti 2015 për vendosje në vitin 2016", theksoi Manaj. Ai shtoi po ashtu se gjatë vitit të kaluar, Këshilli ka vëzhguar 248 pozita të rekrutimit lidhur me procesin e emërimeve të nëpunësve civilë të nivelit drejtues, prej të cilave, sipas tij, Këshilli i ka aprovuar si të rregullta 104 pozita të rekrutimit, ndërsa për shkak të shkeljeve ligjore dhe procedurale, ka anuluar 144 pozita të tjera.
"Në kuadër të funksionit të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit në pajtim me Planin e Monitorimit, Këshilli ka realizuar 57 vizita monitoruese të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil", theksoi kryetari i KPMSH-së, Shkëmb Manaj.
Pas diskutimeve, komisioni njëzëri përkrahu raportin, duke i rekomanduar seancës miratimin e tij.