Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Mërkure, 29.03.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Daut Haradinaj, ka raportuar drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil, Driton Gjonbalaj, lidhur me gjendjen aktuale në këtë sferë.
Fillimisht, anëtari i Komisionit, Nuredin Ibishi, ka ngritur shqetësime të shumta lidhur me gjendjen aktuale në sferën e aviacionit, duke kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e AVC-së, se pse Kosova e ka të kufizuar hapësirën e ulët ajrore, si dhe lidhur me mosfunksionimin e aeroporteve në Dumosh dhe Gjakovë. Po ashtu, ai pati kritika edhe për faktin se në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës janë tarifat më të larta, krahasuar me vendet e rajonit, duke kërkuar sqarime nga përfaqësues të aviacionit.
Tutje, Ibishi si dhe Zafir Berisha, kërkuan sqarime edhe lidhur me kërkesën publike të Serbisë për të marrë kontrollin ajror në Kosovë, duke kërkuar informata shtesë lidhur me këtë çështje.
Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil, Driton Gjonbalaj, duke folur lidhur me gjendjen aktuale në fushën e aviacionit, theksoi se Agjencioni i Autoritetit Civil është përgjegjës për rregullimin e aspekteve të sigurisë së Aviacionit Civil, si dhe të rregullimit të aspektit ekonomik të shërbimeve të aeroporteve dhe të navigacionit ajror.
Gjonbalaj në vijim ka përmendur faktin se AAC-ja rekomanduar zgjatjen e pistës së Aeroportit të Prishtinës, në mënyrë që të mundësohen aterimet e aeroplanëve të mëdhenj ushtarak transportues. Përkitazi me këtë, ai shtoi se i referohet elementit të sigurisë, ngritjes së sistemit të aterimit instrumental në Aeroportin e Prishtinës, për të mundësuar aterimin edhe në mjegull të dendur dhe mbulimin e plotë të hapësirës së Kosovës me valë.
Ai në vijim ka sqaruar se hapësira e lartë ajrore e Kosovës ka qenë e mbyllur deri në vitin 2014, me vendim të Këshillit të NATO-s dhe se me këtë vendim, në prill të vitit 2014, është hapur për mbikalime civile, me theks të veçantë për avionë transit që kalojnë në hapësirën ajrore të Kosovës.
"Përgjegjësia për ofrimin e shërbimeve i është dhënë Agjencisë së Hungarisë dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje të sovranitetit", tha Gjonbalaj, duke shtuar se shërbimet ofrohen nga Hungaria për një periudhë kalimtare pesëvjeçare, deri në muajin prill të vitit 2019.
Pasi ka folur më gjerësisht edhe lidhur me rregulloren e re për dronët dhe për investime tjera strategjike, ai u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit për hapësirën e ulët ajrore, duke sqaruar se po të bëhej hapja e korridoreve me të gjitha shtetet fqinje të Kosovës, kjo do të shkurtonte fluturimet ajrore në Kosovë, për rreth 20 min, si dhe do të reflektonte edhe në uljen e kostos së biletave.
Ndërkaq, sa i përket çështjes se aeroporteve të Gjakovës dhe Dumoshit, Gjonbalaj shtoi se vendimi për t'i bërë operacionale këto aeroporte është jashtë përgjegjësive të autoritetit të aviacionit, mirëpo theksoi gatishmërinë për të bërë certifikimin e tyre.
Sa i përket çështjes që u ngrit si një shqetësim nga anëtarë të Komisionit, nëse ekziston mundësia që Serbia ta marrë nën kontroll hapësirën ajrore të Kosovës, Gjonbalaj tha se Serbia në vazhdimësi ka kërkuar t'i rikthehet hapësira ajrore, por kjo nuk ka qenë asnjëherë temë. Ai sqaroi po ashtu se Serbia është përpjekur ta ndërtojë një radar në Kopaonik dhe se kjo nuk është lejuar as nga ta, as nga NATO.
Në vijim, Gjonbalaj ka theksuar se hapësira e ulët ajrore nën 6.500 metra është nën kontrollin e plotë të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës dhe nën mbikëqyrjen e sigurisë të Autoritetit të Aviacionit Civil. Ai tha se Serbia nuk ka asnjë lloj kompetence në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës, duke u përgjugjur në vijim edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit: Bojan Mitiq dhe Anton Quni.
Krejtësisht në fund të takimit, zv/kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, ka njoftuar anëtarët e komisionit edhe lidhur me vizitën që një delegacion nga komisioni ka realizuar në Stacionin Policor në Zubin Potok, ku është pritur nga Komandanti i Stacionit, Toger Zvezdan Milojeviq, me bashkëpunëtorë.
Sipas saj, qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër me kushtet e punës, sfidat në punët e përditshme në ushtrimin e detyrave policore, si dhe për zbatimin e Ligjit për Policinë e Kosovës, ndërkaq ka shfaqur shqetësimin e saj lidhur me kushtet në këtë stacion.
Ndërkaq,Komisioni vendosi që të kërkojë informatë me shkrim nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, sipas kërkesës së zv/kryetarit të Komisionit, Bojan Mitiq, lidhur me ndaljen e autobusëve me qytetarë serbë që do të vinin sot në territorin e Kosovës.