Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim Kosovë –BE
E Hënë, 27.03.2017
Përgatitjet për takimin e tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, i cili do të mbahet me datë 20-21 prill në Prishtinë, ishte temë e debatit të sotëm gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim.
Takimi është kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, njëherësh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ndërkaq, e pranishme ishte edhe Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë /Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.
Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së, Apostollova, pasi shprehu përkushtimin e saj për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Zyrës që ajo udhëheqë dhe Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kosovë të Kuvendit të Kosovës, vuri në spikamë rëndësinë e përfaqësimit sa më unik të Kosovës në të gjitha forumet ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi se, Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, është organi më i rëndësishëm për implementimin e marrëveshjes së MSA-së, andaj, nga anëtarët e tij kërkoi angazhim edhe më të madh, në mënyrë që mbikëqyrja e dikastereve qeveritarë që kanë për obligim angazhimin për jetësimin e marrëveshjes së MSA-së, të jetë sa më e efektshme.
Anëtarët e komisionit deklaruan se angazhimet e tyre do të jenë në frymën e një bashkëpunimi të brendshëm e në interes të vendit, ndërkaq, falënderuan përfaqësuesen e BE-së për gatishmërinë e saj të shprehur për përkrahje.
Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe agjendën e takimit të ardhshëm dhe morën përsipër angazhimet konkrete lidhur me të.