Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Mërkure, 22.03.2017




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare, ishte i ftuar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, për të diskutuar lidhur me propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e pesë zëvendësve në këtë institucion.

Kryetarja e komisionit, Kajtazi, e hapi diskutimin dhe kërkoi nga Avokati i Popullit sqarime lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zëvendës të Avokatit të Popullit.

Jashari, në fjalën e tij, tha se përzgjedhja është bërë në mënyrë transparente dhe kandidatët janë vlerësuar në bazë të rezultatit të treguar në intervistë. Lidhur me këtë çështje diskutuan edhe anëtarët e komisionit, të cilët dhanë opinionet e tyre.

Në pjesën e dytë të takimit, në komision ishin të pranishëm: Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Bajram Qerkinaj, përfaqësues i asociacionit të familjarëve të personave të zhdukur, Haki Kosumi, ish-udhëheqës i Këshillit të familjarëve të zhdukur dhe Nysrete Kumnova, përfaqësuese e shoqatës "Thirrjet e nënave", të cilët paraqitën kërkesat e tyre lidhur me plotësim- ndryshimin e Ligjit për persona të zhdukur.

Ata kërkuan që në plotësim-ndryshimin e këtij ligji të shtohet përkufizimi i periudhës kohore për persona të zhdukur. U kërkua, gjithashtu, që të gjitha normat ligjore të familjarëve të zhdukur të bartën në një ligj të vetëm, ndërsa benificionet që gëzojnë familjarët e personave të pagjetur, të përmendura në mënyrë taksative me ligj, të plotësohen dhe të bëhen ekuivalente me kategoritë tjera.

Sipas përfaqësuesve të shoqatave të familjarëve të personave te zhdukur, shuma e pagesës së pensioneve për familjarë të zhdukur prej 168.00 është shumë e vogël, prandaj, ata kërkuan që kjo vlerë të rritet.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e shoqatave iu bënë thirrje anëtarëve të komisionit që t'i inkorporojnë këto elemente në ligj, në mënyrë që t'u krijohet siguri familjarëve, me norma juridike si kategori e kësaj shoqërie.

Komisioni vendosi që të formojë një grup punues lidhur me plotësim-ndryshimin e këtij ligji, ku pjesë e grupit punues do të jenë edhe përfaqësues të komisionit qeveritar dhe përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur, të cilët do t'i kontribuojnë krijimit të një ligji në interes të kësaj kategorie shoqërore.

 

 

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...