Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 22.03.2017
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e mbajtur sot, të cilën e kryesoi Naser Osmani, kryetar, shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit të Projektit për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, e nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit do të jetësohet nëse gjen mbështetje edhe në mbledhje plenare të Kuvendit nga ana e deputetëve, ndërsa, për kushtet e kësaj marrëveshjeje, njoftoi zv/ministri i Financave, Agim Krasniqi.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-214, ndërkaq, lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, dhe amendamenteve të Komisionit funksional për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Komisioni vendosi që paraprakisht të konsultojë komisionin përkatës.
Lidhur me shqyrtimine Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitet 2018-2020, e paraparë që të shqyrtohet sot, Komisioni vendosi që ta trajtojë në mbledhjen e radhës.