Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik…
E Marte, 21.03.2017
Komisioni për zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën kanë raportuar përfaqësuesit e Departamentit Qendror të Partneritetit Publiko- Privat (DQPPP).
Raporti i dedikohej zbatimit të kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari".
Me këtë rast, Ilir Rama, nga DQPPP-ja, e cila aktivitetin e saj e zhvillon në kuadër të Ministrisë së Financave, vlerësoi se kontrata koncensionale e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë turke "Limak Celik", lidhur me Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, "Adem Jashari", Kosovës i sjell shumë përfitime ekonomike dhe si e tillë është model që duhet ndjekur edhe në të ardhmen.
Ai pasi njoftoi për procedurat e zhvilluar deri në arritjen e marrëveshjes për nënshkrimin e kontratës, më pas raportoi për investimet e realizuara, të cilat sipas tij, janë në harmoni të plotë kontratën e nënshkruar.
Investimet e realizuara në Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", tha ai më pas, në kudër të kontratës janë realizuar në formë investimesh në infrastrukturën e aeroportit. Investimet arrijnë në shumën më të lartë se 100 milionë euro, ndërkaq, me këtë është arritur që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës të arrijë standardet më të larta të transportit të udhëtarëve, tha ai.
Ai foli edhe për disa nga projektet e pambaruara, siç janë: zgjatja e pistës, platforma për shkrirjen e akullit, korsitë për taksistët, si dhe krijimi i kushteve të volitshme për zjarrfikësit.
Lidhur me këto projekte, Rama njoftoi se janë të kushtëzuara nga qëndrimi i KFOR-it, duke sqaruar më tej se disa nga projektet ndikojnë në sigurinë e aeroportit. Si rrjedhojë, sqaroi ai, duhet pritur qëndrimin pozitiv nga mekanizmat e sigurisë për implementimin e këtyre projekteve.
Përfaqësuesit e DQPPP-së, në vijim u janë përgjigjur edhe pyetjeve që shtruan anëtarët e komisionit, të cilët lidhur me raportin e paraqitur do të formulojnë edhe rekomandimet.
Në fund të kësaj mbledhjeje, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe Raportin me amendamente për Projektligjin nr.05/L-132 për automjete, të cilin e paraqiti deputeti, Fatmir Rexhepi, kryesues i grupit punues.