Lajmet e fundit

Përfaqësuesit e “Save The Children” takuan anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut lidhur me Projektligjin për të Drejtën e Fëmijës

E Enjte, 16.03.2017




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka pritur sot në takim një delegacion të Organizatës "Save the Children" në përbërje: Irina Saghoyan, Drejtoreshë për Euro Azi, Tom Krif, Drejtor për Lindje të Mesme dhe Euro-Azi, Ahmet Kryeziu, Drejtor për Kosovë dhe Genta Gagica-Koordinatore e Save the Children - Kosovë.

Në këtë takim të pranishëm ishin anëtarët e komisionit funksional: Nenad Rashiq, Mexhide Mjaku Topalli, Etem Arifi, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu, Shukrije Bytyqi dhe Kujtim Paçaku.

Kryetarja e Komisionit, Lirije Kajtazi, e hapi diskutimin duke i falënderuar mysafirët dhe përfaqësuesit e Organizatës "Save The Children" për mbështetjen e vazhdueshme, në përgjithësi, në Kosovë, por edhe për Komisionin parlamentar funksional.

Fillimisht, ajo i njoftoi mysafirët për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Republikën e Kosovës, si dhe për Projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili është në procedurë parlamentare.

Kryetarja Kajtazi theksoi se propozimet e shoqërisë civile dhe të Save The Children për këtë Projektligj, janë marrë në konsideratë në tërësi. Ajo vlerësoi kontributin shumë të madh të organizatës "Save The Children" në Kosovë lidhur me Projektligjin si dhe përkrahjen për vizitën studimore, të realizuar vitin e kaluar.

Ahmet Kryeziu, Drejtor i "Save the Children" në Kosovë, falënderoi Komisionin për angazhimin dhe seriozitetin e treguar, veçmas në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe foli për bashkëpunimin në të ardhmen lidhur me zbatimin e këtij projektligji, pas miratimit në Kuvend.

Tom Krif, Drejtor i "Save The Children" për Lindje të Mesme dhe Euro-Azi, si dhe Irina Saghoyan, Drejtoreshë për Euro Azi, falënderuan komisionin për bashkëpunimin, në veçanti me Organizatën "Save The Children" - Kosovë, lidhur me Projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe u shprehen të gatshëm për bashkëpunim edhe në të ardhmen, lidhur me zbatimin e këtij projektligji.

Në bashkëbisedim me mysafirët përkitazi me aspekte të punës së komisionit dhe bashkëpunimit me Organizatën "Save The Children" dhe organizata tjera, diskutuan edhe anëtaret tjerë të Komisionit.

 

 

Përfaqësuesit e “Save The Children” takuan anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut lidhur me Projektligjin për të Drejtën e Fëmijës