Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 15.03.2017
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e sotme drejtuar nga Flora Bronvina, (kryetare) trajtoi monitorimin për zbatimin e Ligjit për Shëndetësi në sistemin parësor shëndetësor. Për këtë ishin të ftuar drejtorët e drejtorive të shëndetit parësor të komunave Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë.
Znj. Bronvina i njoftoi të ftuarit se Komisioni po monitoron ligjin për shëndetësi si ligj bazik dhe mjaft të rëndësishëm, pasi ka pengesa të shumta për zbatimin e tij. Ajo u kërkoi të ftuarve, që Komisioni duhet të njihet konkretisht me problemet që ju keni hasur konkretisht, pasi jeni drejtpërdrejt në terren dhe ne të kemi mundësi të bëjmë përmirësimin dhe plotësimin e ligjit.
Drejtorët e drejtorive të shëndetit parësor të komunave paraqitën problemet e ndryshme dhe domosdoshmërinë për ndryshime dhe plotësime të neneve 5, 8, 9, 12, 13, 14 dhe16 në pika të veçanta pasi shpesh bien në kundërshtim ose e pengojnë zhvillimin normal të zbatimit të ligjit.
Anëtarë e komisionit vlerësuan kërkesat e paraqitura dhe premtuan se do ti shqyrtojnë me kujdes të gjitha kërkesat e tyre që të mund ti implementojnë brenda ligjit.