Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 15.03.2017




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Faton Topalli, u shqyrtua Raporti i Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015. Në këtë takim ishte i pranishëm ministri i MPB-së, Skender Hyseni, për të dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me këtë raport, në çështjet që u ngritën nga Komisioni.

Komisioni pasi diskutoi raportin në fjalë, kërkoi sqarime nga ministri për tu siguruar nëse rekomandimet e auditorit do të implementohen me përpikëri, duke kërkuar me këtë rast nga ministri që të trajtohen me seriozitet këto rekomandime dhe të mos përsëriten nga viti në vit.

Lidhur me këtë raport, i cili është me opinion të pamodifikuar, anëtarët e Komisionit përmendën disa nga mangësitë që janë të prezantuara nga auditori. U tha se pagat nuk janë menaxhuar si duhet dhe se ka pasur vonesa gjatë asaj periudhe në realizim të projekteve. Po ashtu, u përmendën nga ta si të gjetura edhe mbulimi i pozitave me ushtrues detyre, pagesa e pagave nga kategoria mallra dhe shërbime, si dhe çështja e shmangies nga procedurat e tenderimit.

Madje, disa nga anëtarë të Komisionit vlerësuan se krahasuar me vitin paraprak, ky raport ka përmirësime të dukshme në zbatim të rekomandimeve.

Ministri Hyseni tha se tashmë kanë adresuar secilin rekomandim të auditorit, duke përmendur të gjitha në detaje, dhe vlerësoi se disa sosh janë finalizuar dhe disa janë në proces të finalizimit.

Komisioni në vijim shqyrtoi edhe Raportin e Auditimit të përformancës, Administrimi i programit për trajtim jashtë Institucioneve shëndetësore publike. Lidhur me këtë çështje, u ngritën shqetësime të shumta nga anëtarë të Komisionit, ndërkaq theksuan faktin se auditori duhet ta plotësojë raportin.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, si dhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili dha sqarime të nevojshme para Komisionit.

Me theks të veçantë, u kërkua që të ndryshohet udhëzimi administrativ lidhur me këtë çështje, si dhe u kërkuan sqarime të shumta për mënyrën e përdorimit të këtij fondi, procesin e vlerësimit, mos ekzistimin e bazës së të dhënave, rastet e pacientëve të cilat nuk janë shqyrtuar, etj.

Ndërsa, ministri Rrahmani theksoi faktin se janë bërë ndryshime në udhëzimin administrativ, gjë e cila sipas tij do të rrisë transparencën e këtyre mjeteve të ndara për këtë kategori.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike