Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik…
E Marte, 14.03.2017
Përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kanë raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar.
Raporti i dedikohej post-privatizimit të Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike - KKDFE (KEDS).
Në emër të MZHE-së, raportoi Burim Hashani, i cili fillimisht vuri në dukje masat e marra nga kjo ministri për përmbylljen me sukses të projektit të privatizimit të KKDFE-së.
Duke folur për fazën e post-privatizimit të KKDFE-së, Hashani njoftoi se Njësia për Post-privatizim ka qenë e përkrahur nga Korporata Financiare Ndërkombëtare IFC, e cila ka qenë edhe këshilluese e transaksionit gjatë projektit të privatizimit. Në vijim, ai raportoi për marrëveshjet e realizuara sipas kontratës, me theks të veçantë atë të shitblerjes së aksioneve, marrëveshjes për furnizim me shumicë të energjisë elektrike, marrëveshjes për importe dhe marrëveshjen e shthurjes ndërmjet KEK-ut dhe KEDS-it.
Në vijim të raportimit të tij, përfaqësuesi i MZHE-së Hashani, njoftoi për përmbushjen e kontratës lidhur me gjendjen e punëtorëve si dhe investimet e paparapara sipas kontratës së privatizimit.
Lidhur me këtë ai njoftoi:" Sipas marrëveshjes për implementim (neni 4. 10), janë garantuar kontratat e punëtorëve për periudhën 3 vjeçare (deri në muajin maj 2016). Ky obligim është respektuar në tërësi dhe nuk ka pasur largime nga puna të punëtorëve, deri në përvjetorin e tretë pas privatizimit, përkatësisht deri në maj të vitit 2016".
Sa i përket planit të investimeve nga KEDS-i, Hashani tha se janë përmbushur obligimet sipas planit të aprovuar nga ZRRE-ja dhe shuma e investimeve është si vijon: në vitin 2013, 16.5 milion euro, në vitin 2014, 18 milion, në vitin 2015, 21milion euro dhe në vitin e kaluar 23 milion euro investime.
Pas kësaj, fjalën e mori përfaqësuesi i ZRRE-së, Petrit Pepaj, i cili njoftoi për grupet punuese në kuadër të ZRRE-së, të cilat kanë bërë monitorimin e investimeve kapitale dhe shpenzimeve operative të KEDS-it për periudhën 2103-2015. Ai po ashtu njoftoi se ZRRE-ja ka bërë edhe monitorimin e shërbimeve të konsumatorëve nga KEDS-i për këtë periudhë kohore.
Ai njoftoi se ZRRE-ja, në bazë të monitorimit dhe të gjeturave, ka bërë edhe rekomandimet për KEDS-in, e që i përkasin fushës së investimeve kapitale dhe hartimit të planit në fushat e sektorit energjetik në kuadër të KEDS-it.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën një varg çështjesh, përfshirë këtu çmimin e lartë të energjisë elektrike, kuotën e lartë të humbjes teknike të energjisë, shërbimin jo adekuat nga ana e KEDS-it dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me veprimtarinë e tij.
Në fund te kësaj mbledhjeje, Komisioni ka shqyrtuar dhe përkrahur edhe raportin me rekomandime të Projektligjit nr. 05/L-127 për plotësimin e Ligjit nr.04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.