Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kroaci
E Marte, 14.03.2017
Në kuadër të shkëmbimit dhe vlerësimit të përvojave në aspektin e legjislacionit dhe mbikëqyrjes së realizmit të projekteve të fushave të ndryshme përmes aplikimit të metodës së partneritetit publiko- privat, Komisioni për Buxhet dhe Financa, po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në Kroaci.
Me këtë rast, Komisioni realizoi takime me përfaqësuesit e Agjencionit për Investime dhe Konkurrencën të sektorit të partneritetit publiko privat dhe Ministrisë së Financave të Kroacisë.
Gjatë takimeve, kryetari i Komisionit z. Naser Osmani, theksoi se qëllimi i vizitës është për tu njohur nga afër me përvojat dhe praktikat e shtetit kroat në realizimin e projekteve përmes partneritetit publiko privat.
Nga bashkëbisedimi, u kuptua se reformat ligjore dhe institucionale që ka bërë Kroacia në funksion të thjeshtësimit të procedurave dhe afateve në vlerësimin dhe miratimin e projekteve të propozuara përmes metodës së partneritetit publiko privat, si dhe aplikimit të një sistemi të rregullt të raportimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të kontratave ndaj autoriteteve publike, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në implementimin e suksesshëm të projekteve në fusha të ndryshme dhe kanë bërë që rasti i Kroacisë të jetë model i suksesit dhe prijës në rajon në këtë aspekt. Anëtarët e Komisionit u interesuan që eksperienca kroate dhe praktikat më të mira të saj, të barten në Kosovë, me qëllim të krijimit të kornizës ligjore dhe institucionale, që e bëjnë procesin e implementimit të projekteve me partneritet publiko privat më efikas dhe me të suksesshëm.
Ndërkaq, zëvendës kryetarja e parë e Komisionit znj. Safete Hadërgjonaj, bëri një prezantim lidhur me perspektivën e krijimit dhe zhvillimit të partneritetit publiko privat në Kosovë, për të arriturat dhe sfidat dhe planet në të ardhmen.
Në vazhdën e kësaj vizite, anëtarët e Komisionit u takuan edhe me deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, znj. Ermina Leskaj- Përlaskaj, ku u njoftuan për përpjekjet e saj për avancimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në jetën institucionale në Kroaci, si në nivelin lokal, ashtu edhe atë qendror.
Anëtarët e Komisionit, po ashtu takuan edhe përfaqësuesit e Asociacionit të qytetarëve me prejardhje nga qyteza e Janjevës, me të cilët bashkëbiseduan për nevojën e ruajtjes së lidhjeve dhe krijimin e mundësive për investime në Kosovë. Komisioni gjatë ditës së sotme do të vizitojë qytetin e Varazhdinit dhe do të realizojë takime me përfaqësuesit lokal të këtij qyteti, nga të cilët do të njoftohet për projektet e realizuara përmes aplikimit të metodës së partneritet publiko privat në nivelin lokal.