Lajmet e fundit
Sqarim lidhur me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij
E Hënë, 13.03.2017
Pas emetimit nga disa televizione të një kronike lidhur me Ligjin nr. 05/L-044- për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, në të cilën ngriten dilema nëse ky ligj ka hyrë në fuqi, Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për hir të sqarimit të opinionit publik, jep kronologjinë e ecurisë së këtij ligji, nga momenti i miratimit të tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, deri në hyrjen në fuqi:
Ligji nr. 05/L-044- për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 30 nëntor 2016, ndërsa është dërguar të Presidenti për shpallje më 12 dhjetor 2016.
Shkresa për publikim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 80.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është dërguar me 22 dhjetor 2016.
Ligji është publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 43/2016, datë 29 dhjetor 2016 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.