Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli priti në takim sekretarin e OSBE-së, Lamberto Zannier
E Premte, 10.03.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Lamberto Zannier, të cilin e ka falenderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Misionit të OSBE-së për Kosovën.
Kryetari Veseli ka çmuar lart këtë mbështetje, sidomos në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka konsideruar të nevojshme vazhdimin e bashkëpunimit me këtë mision, në funksion të forcimit të mëtejmë të demokracisë dhe ofrimit të asistencës në shumë sfera.
Veseli e ka njohur z. Zanier edhe me zhvillimet aktuale në vendin tonë, me theks të veçantë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke e konsideruar të rëndësishme ratifikimin e marrëveshjes.
Lidhur me Asociacionin i komunave me shumicë serbe, kryeparlamentari Veseli tha se ai do të themelohet në pajtim me Kushtetutën dhe mendimin e Gjykates Kushtetuese.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Zanier, nga ana e tij, konfirmoi përkushtimin e misionit të OSBE-së për të vazhduar mbështetjen për institucionet e Kosovës edhe në të ardhmen.