Lajmet e fundit

Deputetja Emini takoi z.Frank Morawiet, i dërguar i posaçëm i Zyrës Franko- Gjermane e të Rinjve për Evropën Juglindore dhe z. Bujar Luma, anëtar

E Premte, 10.03.2017




Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Njomza Emini, ka pritur sot në takim z. Frank Morawiet, i dërguar i posaçëm i Zyrës Franko- Gjermane e të Rinjve për Evropën Juglindore dhe anëtar i ekipit të përbashkët koordinues për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor (RYCO) si dhe me z. Bujar Luma, po ashtu anëtar dhe koordinues i përbashkët këtij ekipi.

Kryetarja e Komisionit znj. Emini në këtë takim diskutoi lidhur me rendësinë dhe procedurat e ratifikimit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Me këtë rast, Emini i njoftoi me angazhimin e saj dhe veprimet e ndërmarra deri më tani me qëllim të sqarimit të rëndësisë së ratifikimit të kësaj marrëveshje.

Në vijim, ajo tha se Komisioni për Integrime Evropiane ka mbajtur një takim me ambasadorët e shteteve të cilat janë të përfshira në Procesin e Berlinit, në të cilin takim u diskutua edhe për rëndësinë e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Nga ana e tij, z. Morawietz, njoftoi kryetaren Emini për procesin dhe peripecitë që kanë pasur deri te arritja e marrëveshjes për themelimin e Zyrë Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).

Ai shtoi se Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) është rezultati i parë nga procesi i Berlinit dhe e cila Zyrë tashmë ka hyrë në fazën finale drejt funksionalizimit të saj. Në vazhdim, ai tha se, në momentin kur po diskutohet, RYCO ka vënë hapin e parë konkret drejt funksionalizimit, duke themeluar Bordin Udhëheqës, si organi më i lartë vendimmarrës i këtij mekanizmi rajonal.

Më tej z. Morawietz, tha se RYCO është e vetmja strukturë rajonale në të cilën shoqëria civile, përkatësisht të rinjtë janë pjesë e drejtpërdrejtë dhe e barabartë e vendimmarrjes, karshi qeverive.

Po ashtu, ai tha se në këtë mekanizëm të gjitha shtetet janë të barabarta dhe se përfitimet nga ky mekanizëm janë të barabarta për secilin shtet që është pjesë e këtij mekanizmi.

Në fund të takimit, kryetarja Emini duke shprehur përkrahjen e saj të parezervë për funksionalizimin e kësaj Zyreje, shtoi se shpreson se shumë shpejt edhe Parlamenti ynë do të ratifikojë këtë marrëveshje dhe se në këtë situatë izoluese në të cilën ndodhen të rinjtë e Kosovës, nevoja për të bashkëpunuar me të rinjtë nga rajoni është e domosdoshme dhe si e tillë duhet të mbështetet nga çdokush.

Deputetja Emini takoi z.Frank Morawiet, i dërguar i posaçëm i Zyrës Franko- Gjermane e të Rinjve për Evropën Juglindore dhe z. Bujar Luma, anëtarDeputetja Emini takoi z.Frank Morawiet, i dërguar i posaçëm i Zyrës Franko- Gjermane e të Rinjve për Evropën Juglindore dhe z. Bujar Luma, anëtar