Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Premte, 10.03.2017




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga zv/kryetarja Ganimete Musliu, u shqyrtua Projektligji Nr.05/L-143 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-214. Gjatë prezantimit të këtij projektligji nga kryesuesi i grupit të punës, Rexhep Selimi, u tha se ndryshimet në këtë projektligj janë si pasojë e detyrimeve që ka Ministria e Punëve të Brendshme dhe shteti i Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Pas shqyrtimit, Komisioni në mënyrë unanime ka përkrahur për procedim në seancë plenare këtë projektligj dhe i rekomandohet për miratim.

Në vijim, zv/kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, ka njoftuar anëtarët e Komisionit lidhur me vizitën që ajo kishte zhvilluar në komandën e doktrinës dhe stërvitjes së FSK-së, në Ferizaj. Me këtë rast, ajo sqaroi se është takuar me kolonelen dhe pjesëtaret tjera të FSK-së, të gjinisë femërore, që janë pjesë e kësaj qendre dhe kanë debatuar për problemet dhe sfidat që i kanë këto pjesëtare të FSK-së.

Musliu tha se kërkesa e pjesëtareve femra të FSK-së ka qenë që ato të jenë të përfaqësuara në borde të gradimit dhe se asnjë sosh nuk është e përfshirë nëpër komisione të caktuara, për të qenë atashe ushtarak. Ajo vlerësoi se duhet marrë parasysh kërkesat dhe vërejtjet e tyre.

Pas një diskutimi, Komisioni i rekomandoi ministrisë përkatëse dhe FSK-së që roli i femrave në institucione të sigurisë të jetë i një niveli më të lartë.

Një shqetësim tjetër që u ngrit nga anëtarë të Komisionit ishte edhe çështja e qëndrimeve politike të disa pjesëtarëve të FSK-së nëpër rrjetet sociale.

Gjatë këtij diskutimi, anëtarët e Komisionit kërkuan që t'i rekomandojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që këtë çështje ta rregullojnë me legjislacion sekondar, në përputhje me ligjin në fuqi dhe kodin e etikës, apo të nxjerrë akte normative apo rregullore të brendshme, që të respektohet ligji për garantimin e paanshmërisë politike.

Krejtësisht në fund të diskutimit, Komisioni mori vendim që t'i drejtohet institucioneve të sigurisë, me theks të veçantë FSK-së dhe Policisë së Kosovës, që ta respektojë dhe sigurojë paanshmërinë politike të pjesëtarëve të këtyre institucioneve.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së