Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 09.03.2017




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar sot mbledhjen plenare, me pikat e mbetura, të cilën e drejtoi Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit (një pjesë të seancës e kryesori nënkryetari tjetër i Kuvendit, Sabri Hamiti).
Në fillim të seancës, fjalën e mori shefi i GP të AAK-së, Pal Lekaj, i cili kërkoi që të pezullohet dialogu me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt.

"Të pezullohet dialogu me Serbinë, deri në lirimin e Ramush Haradinajt dhe deri kur Bashkimi Evropian të kërkojë heqjen e të gjitha fletë-arresteve serbe për shtetasit e Kosovës", theksoi Lekaj. Ai kërkoi po ashtu që të ketë një koordinim nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare, për formulimin e një rezolute të përbashkët nga të gjithë deputetët.

Edhe Zenun Pajaziti nga GP i PDK-së, shprehu mospajtimin subjektit të tij lidhur me mbajtjen në arrest të kryetarit te AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai kërkoi nga grupet parlamentare të formulojnë një tekst në mënyrë që veprimet e tyre të jenë të përbashkëta, për ta ndihmuar në përshpejtimin e kthimit të tij në Kosovë. Me anë të kësaj rezolute, Pajaziti bëri thirrje që të bëhen përpjekje që në të ardhmen të mos ketë ndalim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, u deklarua se edhe subjekti i tij e përkrah miratimin e një rezolute të harmonizuar midis grupeve parlamentare.

Shefi i GP të VV-së, Glauk Konjufca, gjatë diskutimit të tij tha se Qeveria e Kosovës duhet ta kushtëzojë Serbinë me bisedimet në Bruksel, lidhur me lirimin e Haradinajt. Konjufca shtoi se Qeveria është shumë e nënshtruar ndaj Serbisë dhe kërkoi që t'i bëhet trysni Serbisë për heqjen e fletë-arresteve serbe.

Hartimi i një rezolute të përbashkët u përkrah edhe nga GP Nisma dhe ai 6+.

Pas debatit, grupet parlamentare caktuan përfaqësuesit e tyre në komisionin për hartimin e rezolutës së përbashkët.

Më pas, Pal Lekaj, prezantoi tekstin e rezolutës, nëpërmjet të cilës kërkohet lirimi i pakusht dhe i shpejtë i Ramush Haradinaj, duke e konsideruar këtë detyrë primare shtetërore, si dhe pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj rezolute ngarkohet Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga BE-ja që ta detyrojë Serbinë për t'i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë-arrestet e lëshuara nga Serbia nëpërmjet Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës. Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës, obligohen gjithashtu, t'i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që t'i informojnë të gjitha instancat ndërkombëtare se "...e refuzojnë juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë".


Rezoluta mori mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare. Nga 79 deputetë sa ishin në sallë, 78 kanë qenë pro rezolutës, ndërkaq vetëm një ka votuar kundër.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka propozuar debat parlamentar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Me 53 vota për, një abstenim dhe një kundër, nuk kaloi propozimi i tij.

Kuvendi ka vazhduar punimet me shqyrtimin e projektligjeve. Deputetët kanë shqyrtuar dhe i kanë dhënë mbështetje në parim Projekt-kodit të Drejtësisë për të mitur, të cilin e prezantoi dhe arsyetoi ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Kuvendi shqyrtoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158.

Për herë të parë u shqyrtuan edhe pesë projektligje të tjera: Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligji për noterinë, Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe Projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës.

Të gjitha këto projektligje, para deputetëve i prezantoi ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila foli për rëndësinë e projektligjeve, duke shkoqitur njëkohësisht, aspekte përmbajtësore të tyre.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilin, me rekomandime të Komisionit për Legjislacion, e prezantoi anëtari i këtij komisioni, Armend Zemaj.

Deputetët shqyrtuan edhe katër projektligje të tjera për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave;

Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për Themelimin e Programit Kornizë për Bashkëpunim Financiar; Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Financiar midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e Protokollit Financiar ndërmjet Ministrisë së Financave së Republikës së Kosovës dhe NATIXIS, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK - Linja e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kuvendi nuk pati kuorum për votimin e këtyre projektligjeve. Po për këtë arsye, Kuvendi nuk arriti të votojë as për tri projektligjeve të tjera, në shqyrtim të dytë: Projektligjin për shërbime, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Në mungesë të ministrit raportues, Arban Abrashi, ndërkaq, nuk u shqyrtua Projektligji për ndërmarrjet sociale.

Për votimin e këtyre projektligjeve, Kuvendi do të mblidhet serish nesër, në orën 10:00.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit