Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane…
E Marte, 07.03.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga Njomza Emini, kryetare, në të cilën u diskutua lidhur me Procesin e Berlinit, të pranishëm ishin edhe katër përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë: Udhëheqëse e seksionit të ekonomisë në Ambasadën Gjermane, Christina Gehlsen, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ambasadori francez, Didier Chabert dhe ai italian, Piero Cristoforo Sardi.
Fillimisht, kryetarja e Komisionit, Njomza Emini, tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për anëtarësimin në BE. Ajo tha se Procesi i Berlinit është iniciativë që bashkon liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (ËB6) dhe disa shtete anëtare të BE-së në samite vjetore.
Sipas saj, qëllimi i këtij procesi është që të sjell dinamikë të re për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e këtij rajoni të angazhohen në nismat për bashkëpunim që do t'i transformojë ata, duke ua hapur rrugën për në BE.
Emini shtoi se elementi thelbësor i këtij procesi është fokusi i qartë në një numër të kufizuar të temave të veçanta rreth forcimit të lidhjes në aspektin e transportit, energjisë dhe kontakteve ndërmjet njerëzve.
Një hap i madh, sipas saj, është ndërmarrë për të shëruar plagët e së kaluarës në rajon, me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit të të Rinjve (RYCO) dhe se misioni i zyrës së re do të jetë mbështetja e aktiviteteve që promovojnë pajtimin e popujve, si dhe programet përkujtimore, diversitetin, shkëmbimin ndërkulturor, lëvizshmërinë rajonale, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe promovimin e vlerave demokratike.
Ambasadorët, fillimisht shpjeguan pikat kyçe të Procesit të Berlinit, duke theksuar mes tjerash se ky proces i iniciuar nga shtetet të cilat përfaqësojnë ata, është i ndërlidhur me procesin e integrimit në BE. Po ashtu, ata theksuan mes tjerash se marrëdhëniet fqinjësore janë parakusht për anëtarësim në BE.
Duke folur lidhur me marrëveshjen për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, ata vlerësuan se ky proces përgatit vendet e Ballkanit Perëndimor për t'u integruar në BE dhe se është promovim i pajtimit të njerëzve në rajon dhe se i hap perspektivë të rinjve.
U theksua fakti se ky proces duhet të zhvillohet që të krijohen kushtet e pajtimit të popujve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se duhet të ratifikohet marrëveshja për krijimin e zyrës rajonale të të rinjve.
Ndërkaq, u shpalosën edhe fushat në të cilat do të përqendrohen edhe projektet.
Anëtarët e Komisionit theksuan se kjo marrëveshje është në procedurë të votimit dhe shfaqën shpresë se gjatë seancës së ardhshme do të miratohet, meqë, u vlerësua se kjo nismë është në interes të përgjithshëm.
Ata vlerësuan se çmojnë shumë rolin e Berlinit, sepse nuk ka ofruar vetëm qeveritë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ndërkaq, lidhur me këtë proces Komisioni do të ftojë në raportim ministrin e Punëve të Jashtme dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, në mënyrë që Komisioni të fillojë edhe rolin e vet mbikëqyrës parlamentar edhe në këtë proces.
Pas këtij takimi, Komisioni ka vazhduar mbledhjen duke miratuar këto projektligje: Projektligjin për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit; Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale. Të gjitha këto me amendamente të komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.