Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli pranon nga presidenti Thaçi Projektligjin për FSK-në
E Marte, 07.03.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pranuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit, ndryshohet misioni i FSK-së dhe kjo forcë shndërrohet në ushtri të Kosovës.
Duke e konsideruar ditën e sotme ditë të mirë për Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj, kryeparlamentari Veseli paralajmëroi se do të ftojë nesër Kryesinë e Kuvendit, për ndërmarrjen e hapave të mëtutjeshëm dhe procedim të projektligjit bazuar në procedurat e Kuvendit.
"Nëpërmjet transformimit të FSK-së, Kosova nuk do të jetë më konsumues i paqes në rajon, por kontribuues saj. Shumica e kadetëve të FSK-së janë duke u trajnuar nëpër vendet më prestigjioze të botës. FSK-ja do të jetë partner i sigurt për NATO-n dhe të gjitha etnitetet në Kosovë", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit vlerësoi se Kosova ka nevojë për rrumbullakimin e identitetit të saj shtetëror.
Presidenti Hashim Thaçi, tha se iniciativa e tij për transformimin e FSK-së është e bazuar në Kushtetutë, ndërsa e konsideroi atë të domosdoshme për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Presidenti Thaçi tha se Projektligji rregullon misionin, funksionin dhe detyrat e FSK-së.
"Ashtu siç është informuar opinioni publik në Kosovë, 3 vite më parë në përputhje me rekomandimet e rishikimit të sektorit të sigurisë kam paralajmëruar formimin e forcave të armatosura. Por një gjë të tillë s'kemi arritur ta bëjmë pasi serbët nuk dëshirojnë t'i votojnë këto ndryshime kushtetuese. Ky qëndrim është për keqardhje i cili origjinën e ka në Serbi. Për mua si president dhe komandant suprem, është e rëndësishme përmbajtja", theksoi presidenti Thaçi.
Ai tha se ky ndryshim i misionit në përputhje me ligjin, e bën FSK-në ushtri moderne, me karakter mbrojtës dhe do të jetë në shërbim të paqes në rajon dhe botë. Ai shtoi se KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij të deritashëm.