Lajmet e fundit
Veseli: Pak ditë na ndajnë nga krijimi i Ushtrisë së Kosovës
E Hënë, 06.03.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Akademinë përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, e cila u mbajt sot në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve që shënojnë Epopenë e UÇK-së.
Duke përshëndetur të pranishmit, në mënyrë të veçantë anëtarët e brezit të ri të Familjes Jashari, nipat e Komandantit Legjendar Adem Jashari, për të cilët tha se i kanë dhënë hijeshi Sallës së Kuqe në Prishtinë, kryeparlamentari Veseli theksoi se ky vit shënon 19-vjetorin kur Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës i thanë botërisht jo pushtimit serb të Kosovës.
Vetëm pak kohë më pas, shtoi kryetari Veseli, e tërë rinia e Kosovës iu përgjigj masovikisht kësaj qëndrese dhe nën udhëheqjen e UÇK-së, arriti çlirimin definitiv të atdheut.
"Kjo është historia e një populli të vetmuar, të shtypur dhe të përbuzur shumë gjatë. Kjo është historia e popullit tonë që aspironte për lirinë e vet dhe për këtë liri ishte në gjendje të sakrifikonte gjithçka", theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se UÇK-ja ka qenë lëvizja më sublime e historisë më të re të Kosovës.
Veseli tha se 19 vite pas luftës dhe sakrificës së familjes Jashari, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.
Ai tha se kush nuk e beson këtë, nuk e beson as sakrificën e Adem Jasharit dhe mijëra dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush e mohon këtë, shtoi kryetari i Kuvendit, ai nuk e do Kosovën.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli foli për sfidat që Kosova ka para vetes, por edhe për vizionin e saj dhe aspiratën euroatlantike.
Veseli paralajmëroi po ashtu, se Kosovën e ndajnë vetëm pak ditë nga krijimi i Ushtrisë së saj.
"Shumë shpejt, vetëm ditët na ndajnë, kur do të krijohet Ushtria e Kosovës, e cila do t'i shërbejë njëkohësisht sigurisë së vendit, paqes dhe stabilitetit rajonal e global", theksoi kryeparlamentari Veseli.