Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Hënë, 06.03.2017
Komisioni për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, mbajti sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Lirije Kajtazi, kryetare. Në këtë takim, të ftuara për raportim ishin Kryeshefja e Agjencionit për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Edi Gusia, si dhe shefja për legjislacion pranë kësaj këtij agjencioni, Leonora Selmani.
Kryeshefja e ABGJ-së, Edi Gusia, prezantoi punët dhe aktivitet që janë zhvilluar gjatë vitit 2016, duke e cilësuar si të pafavorshme pozitën e gruas në aspektin ekonomik. Sipas saj, mos marrja e trashëgimisë në pronë, është një nga faktorët evident të gjendjes jo të mirë të tyre.
Tutje ajo deklaroi se edhe pse legjislacioni i Kosovës nuk është diskriminues në fushën e trashëgimisë dhe të drejtave në pronësore, realiteti tregon se gratë në Kosovë janë në situatë të pafavorshme sa i përket aspektit të trashëgimisë dhe qasjes së tyre në prona . Ajo theksoi se propozimi i Agjencisë gjatë vitit 2016, për regjistrim të pronës në emër të dy bashkëshortëve, ka rezultuar i suksesshëm, ngase, sipas saj, gjatë vitit që lamë pas janë regjistruar 620 raste të qifteve te reja në emër të dy bashkëshortëve. Masa afirmative për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve, sipas kryeshefes së agjencisë, ua lejon lirimin nga pagesa e taksave. Gusia, në fund tha se do të kërkojë nga qeveria që kjo masë afirmative të zgjatet edhe për një vit.
Anëtarët e komisionit, shtruan pyetje lidhur me rastet e grave nga dhuna në familje, papunësia, si dhe për riintegrimin e tyre në profesione të ndryshme. Ndërkaq komisioni e vlerësoi të suksesshëm masën afirmative për regjistrim te pronës.
Në fund komisioni shqyrtoi edhe kërkesa të ndryshme të adresuara nga qytetarët.