Lajmet e fundit
Kryetari Veseli bëri homazhe në Kompleksin Memorial
E Hënë, 06.03.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 19-vjetorin e sakrificës së Familjes Jashari, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz.
Kryeparlamentari Veseli tha se edhe pas gati dy dekadave nga kjo sakrificë, plagët ende mbesin të freskëta, po aq sa edhe dhimbja, por edhe forca e krenaria.
"Kosova jonë, për të cilën këta heronj sakrifikuan, është duke ecur përpara, si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës, por edhe frymëzimi për rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se institucionet e Kosovës ende kanë shumë për të bërë, por shtoi se me besimin në gjakun e derdhur, Kosova do të bëhet shembull i zhvillimit.