Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 02.03.2017
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigj, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Në fillim të mbledhjes fjalën e mori Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të AAK-së, i cili shprehu shqetësimin e grupit që ai drejton lidhur me shtyrjen e vendimit për lirimin e Ramush Haradinajt. Ai tha se vazhdimi i mohimit për t'iu kthyer Kosovës dhe angazhimit është vendim për interesa politike të Serbisë.
"Kjo pengmarrje e z.Haradinaj ndërlidhet me temat që sot janë shumë aktuale dhe që janë të dëmshme për të tashmen dhe të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës", tha Lekaj. Ai vlerësoi po ashtu se një gjë të tillë e shohin si fyerje edhe ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lekaj kërkoi që të ndërpritet seanca plenare e Kuvendit në shenjë pakënaqësie lidhur me vendimin e gjykatës në Francë.
Në emër të Grupit Parlamentar i PDK-së, deputetja Blerta Deliu-Kodra kërkoi nga drejtësia dhe institucionet udhëheqëse të Francës, si dhe nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të Haradinajt. Ajo theksoi se kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet jo vetëm Haradinajt, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shqetësimet e tyre lidhur me shtyrjen e vendimit për z. Haradinaj, i paraqiten edhe Muhamet Mustafa dhe Besa Gaxherri nga GP i LDK-së.
Më pas, fjalën e mori edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili shprehu shqetësimin e tij lidhur me vendimin e Gjykatës së Colmarit në Francë për shtyrjen e seancës për kryetarin e AAK-së. Hoxhaj theksoi se vendimi i gjykatës franceze është edhe zhgënjyes dhe i papranueshëm.
"Ne kemi pritur që Haradinaj të kthehej në Kosovë, sepse nuk ka asnjë arsye që ai të qëndroj në Francë.
Ndalimi i tij është vazhdimësi e politikës që e ka ndjek Serbia në ndaj Kosovës", ka thënë Hoxhaj
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, po ashtu ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e gjykatës franceze për Ramush Haradinajn, duke e konsideruar të papranueshëm papranueshëm mos kthimin i tij në Kosovë. Ai tha se Serbia nëpërmjet lojërave të tilla të ulëta, për përfitime politike, është duke keqpërdorur drejtësinë.
Me kërkesë të GP të PDK-së dhe atij të LDK-së, mbështetur edhe nga GP 6 plus, u vendos që të ndërpritet seanca në shenjë solidarizimi dhe mbështetje për Ramush Haradinajn. Kryesuesi i seancës, nënkryetari Xhavit Haliti, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.