Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike...

E Mërkure, 01.03.2017




Në funksion të transparencës dhe mbledhjes së rekomandimeve lidhur me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Transmetuesin Publik, Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i drejtuar nga Xhevahire Izmaku, kryetare, ka organizuar dëgjim publik.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të Bordit të RTK-së, përfaqësues nga Këshilli i Pavarur i Mediave, të Komisionit Evropian, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të mediave.

Në dëgjimin publik u kërkua që RTK-ja të mos financohet tërësisht nga buxheti i shtetit.

Përfaqësuesja nga Komisioni Evropian, Syzana Bytyqi, gjatë diskutimit tha se Komisioni Evropian rekomandon që burimi kryesor i RTK-së të mos jetë direkt buxheti i shtetit, si dhe të gjendet një mënyrë e qëndrueshme financiare.

Tutje ajo theksoi se neni i cili rregullon emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të mbetet ashtu siç ka qenë në ligjin e mëhershëm.

Ndërkaq, Jeton Mehmeti nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), ka propozuar që anëtarët e Bordit të RTK-së të intervistohen nga kompani profesionale të pavarura. Ai po ashtu propozoi që të largohet financimi i RTK-së nga buxheti i shtetit. Mehmeti ka dhënë edhe një propozimin lidhur me parapagimin nëpërmjet faturave të energjisë elektrike, duke kërkuar që kjo të bëhet në shumën prej 2,50 euro. Ai theksoi se kjo formë e financimit përmes parapagimit do ta lidhë shikuesin me RTK-në.

"Ne mbështesim propozimin që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) të auditojë pasqyrat financiare të RTK-së", ka thënë Mehmeti.

Në këtë dëgjim publik, me diskutimet e tyre kontribuuan edhe folës të tjerë.

Në fund të takimit, kryetarja e komisionit, Izmaku, kërkoi që të gjitha rekomandimet dhe propozimet lidhur me Projektligjin, të dërgohen me shkrim, me ç'rast komisioni do t'i shqyrtojë bashkërisht me akterët e përfshirë në këtë proces.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike...Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike...