Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 01.03.2017
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Faton Topalli, kryetar, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015. I ftuar në Komision për këtë çështje ishte ministri Skender Hyseni, mirëpo për shkak të mos prezencës së tij, raporti nuk u shqyrtua, meqë, siç u tha, është praktikë e Komisionit që këto raporte të mos shqyrtohen pa prezencë të ministrave.
Në vijim, Komisioni ka diskutuar edhe lidhur me planin për shqyrtim të raporteve të Auditimit të Komunave, duke u përcaktuar kështu fushat në të cilat do të përqendrohet Komisioni.
Krejtësisht në fund, Komisioni diskutoi edhe lidhur me auditimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), mirëpo kjo çështje mbeti të shqyrtohet në një takim tjetër, në mënyrë që të diskutohet për këtë mundësi edhe me Zyrën e Auditorit.