Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 28.02.2017
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga zv/kryetarja e parë e Komisionit, Selvije Halimi, ka mbajtur sot dëgjim publik, lidhur me Projektligjin nr.05/L-129 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.04/L-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Ky projektligj është miratuar në parim, ndërkaq edhe është formuar grupi i punës së Komisionit për shqyrtim të tij.
Kryesuesi i këtij grupi të punës, Armend Zemaj, duke folur për këtë ligj, tha mes tjerash se Komisioni ka bërë monitorim të këtij ligji gjatë vitit të kaluar, si dhe ka vizituar institucionet korrektuese, m ç'rast ka marrë sugjerime dhe vërejtje për ligjin, nga zbatuesit e ligjit dhe nga ata që i nënshtrohen atij.
Duke potencuar disa elemente që janë në këtë projektligj, Zemaj përmendi edhe disa detaje që kanë dalë gjatë monitorimit të ligjit, që ka të bëjë me të drejtat e të burgosurve, si dhe stafit të shërbimit korrektues.
Zemaj tha se janë vetëm disa amendamente të cilat kanë ardhur në Komision për plotësim-ndryshim të këtij ligji, duke përmendur kështu si pjesë të ndryshimit panelin për lirim me kusht, si dhe organizimin e ri dhe shërbimin mjekësor të burgosurve. Ndërkaq, tha se nesër do të vazhdojë shqyrtimin ky grup pune dhe gjatë ditës së enjte do të procedohet në seancë plenare projektligji.
Zemaj tha se do të kërkohet nga Ministria e Drejtësisë që në një afat sa më të shkurtër ta hartojnë një ligj të ri që mbulon këtë çështje.
Me këtë rast, Ardian Bajraktari nga Ministria e Drejtësisë, duke paraqitur të dhëna rreth plotësim ndryshimit të këtij projektligji, theksoi se janë disa ndryshime të cilat i kanë konsideruar tejet të rëndësishme. Kjo, për arsye të harmonizimit të disa çështjeve me Kushtetutën e Kosovës, dhe përcaktimit të parimit të ndarjes së pushteteve, meqë siç tha ai, disa nga çështjet që kanë qenë të përcaktuara me ligj tashmë përmes këtyre ndryshimeve iu janë bartur në kompetencë disa institucioneve tjera.
Ministria e Drejtësisë, sipas Bajraktarit, gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve, ka qenë në konsultim me organet të cilat merren me zbatimin e këtij ligji, shërbimin korrektues dhe shërbimin sprovues, dhe me partnerë ndërkombëtarë, me ç'rast është përgatitur ky draft në kuadër të cilës parashihen disa ndryshime substanciale.
Sa i përket çështjes së pezullimit të ekzekutimit të dënimit, e cila ka qenë kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, ai tha se përmes këtyre ndryshimeve kjo i është bartur gjykatës.
Në vijim, ai tha se është përcaktuar edhe rrethana se kur mund të pezullohet ekzekutimi i dënimit për trajtim shëndetësor brenda ose jashtë vendit, ndërkaq sqaroi se është paraparë edhe rishikimi i dispozitave, duke përmendur me këtë rast panelin për lirim me kusht dhe duke përcaktuar edhe çështjen e të drejtës në ankesë të palëve që iu refuzohet lirimi me kusht. Po ashtu, ai vlerësoi se është rishikuar edhe përbërja e panelit.
Krejtësisht në fund, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, theksoi se është përcaktuar edhe çështja e trajtimit të burgosurve. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka filluar vitin e kaluar me fazën e rishikimit të tërësishëm të këtij sektori dhe është në përgatitje të strategjisë për të përcaktuar hapat e ardhshëm konkret.
Ndërkaq, Alban Muriqi, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, gjatë diskutimit të tij tha fillimisht se kanë një bashkëpunim të mirë me shërbimin korrektues dhe Ministrinë e Drejtësisë. Ai shtoi se sa i përket këtyre ndryshimeve në këtë ligj, ato janë ndryshime sipërfaqësore dhe se nuk ka ndonjë çështje specifike që kjo çështje të adresohet në mënyrë urgjente. Ai paraqiti edhe disa sugjerime dhe vërejtje, me theks të veçantë tek pezullimi i dënimeve dhe tek trajtimi i jashtëm mjekësor.
Ndërsa, Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës së Shërbimit Korrektues, pasi paraqiti disa nga shqetësimet e tij që kanë të bëjnë më stafin e shërbimit korrektues, tha se Shërbimi Korrektues duhet të ketë ligj të veçantë për zyrtarë të këtij institucioni, e jo të trajtohet përmes udhëzimeve administrative.
Në vijim foli edhe zv/kryetarja e Komisionit, Selvije Halimi, si dhe deputetët Nait Hasani e Bislim Zogaj.
Deputeti Hasani gjatë këtij dëgjimi publik ka paraqitur edhe një amendament të veçantë për këtë projektligj.