Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 28.02.2017
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për Themelimin e Programit Kornizë për Bashkëpunim Financiar, Projektligji për Ratifikimin e Protokollit Financiar midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës, dhe të Marrëveshjes për hua për zbatimin e Protokollit Financiar ndërmjet Ministrisë së Financave së Republikës së Kosovës dhe NATIXIS, si dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK - linja e dytë kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë përkrahur nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e mbajtur sot, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani.
Realizimi i këtyre marrëveshjeve në formë kredish, do të jetësohet nëse gjen mbështetje edhe në mbledhje plenare të Kuvendit nga ana e deputetëve, ndërkaq, për kushtet e këtyre marrëveshjeve njoftoi ministri i Financave, Avdulla Hoti.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili me procedurë të përshpejtuar pritet të hyjë në rend dite në seancën e radhës së Kuvendit.