Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Marte, 28.02.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, u shqyrtua përgjigjja e grupit të punës së Komisionit lidhur me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me kërkesën e parashtruar nga Avokati i Popullit, për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së disa neneve të Ligjit nr.05/L-087 për Kundërvajtje.
Kryesuesi i grupit të punës, Armend Zemaj, ka paraqitur në Komision komentet lidhur me këtë çështje, duke prezantuar në detaje edhe proceduarat nëpër të cilat ka kaluar projektligji.
Komisioni për Legjislacion i ka sqaruar Gjykatës Kushtetuese se adresimi i shqetësimeve të Avokatit të Popullit derisa Projektligji ishte në fazën e amendamentimit, nuk qëndron, pasi që raporti i Avokatit të Popullit është adresuar në kutitë postare personale të deputetëve: Lirije Kajtazi, Selvije Halimi, Albulena Haxhiu dhe Armend Zemaj. Kjo u cilësua si një adresim personal.
Zemaj tha se ky adresim i Avokatit nuk përkon me adresimin zyrtar, pasi që çdo shkresë që adresohet tek Komisionet e Kuvendit hynë në rrugë zyrtare të shqyrtimit.
Komisioni për Legjislacion nuk ka qenë i njoftuar me raportin e Avokatit të Popullit gjatë fazës së shqyrtimit dhe amendamentimit të Projektligjit.
Në vijim, u tha se shumica e projektligjeve sponzorizohen nga ministritë e linjës dhe se gjatë dëgjimeve publike për këtë ligj, nga propozuesi është vlerësuar se është në harmoni me direktivat e BE-së.
Duke u nisur nga fakti se projektligjet kalojnë nëpër shumë procedura të filtrimit deri në shqyrtimin parlamentar dhe duke marrë për bazë faktin se komisionet parlamentare nga Kuvendi vlerësojnë se këto ministri të linjës që më pas merren me zbatim të ligjit, e njohin më mirë qëllimin dhe natyrën e çështjeve të rregulluara me dispozita përkatëse, nuk praktikohet të ndërhyhet në çështjet të cilat mund ta prishin qëllimin apo teknikën e ligjit të caktuar.
Grupi i punës, thuhet në shkresën e Komisionit, duke ruajtur frymën e ligjit, ka vazhduar punën me akterët e përfshirë në këtë proces dhe i ka propozuar Komisionit për miratim 32 amendamente të cilat nuk kanë ndryshuar përmbajtjen e ligjit në nene te kontestuara nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkaq, përmes kësaj shkrese janë sqaruar edhe procedurat nëpër komisionet kryesore parlamentare, duke vlerësuar se nuk janë në kundërshtim me legjislacionin e BE-së, nuk përmbajnë implikime buxhetore dhe se nuk prekin të drejtat dhe interesat e komuniteteve. Komisioni për Legjislacion ka miratuar në mënyrë unanime raportin final me amendamente të projektligjit dhe e ka proceduar për miratim në Kuvend. Ndërkaq, Kuvendi më 5 gusht 2016 ka miratuar këtë ligj.
Shkresa e grupit të punës është miratuar nga anëtarët e Komisionit dhe dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.