Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Hënë, 27.02.2017




Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, deputetët miratuan raportin e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të nenit 11 të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket propozim-rezolutës në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, formimit të Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe votimit të propozim-rezolutës në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, për asnjërën nga këto tri pika të rendit të ditës nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Në vijim, deputetët pas procedurës me votim të fshehtë, zgjodhën Qerim Fazlinë, anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komuniteteve tjera (me 70 vota), si dhe Dua Kadriu, anëtare të Bordit për Ankesa të Mediave (me 58 vota).

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, gjatë kryesimit të kësaj seance, ka njoftuar deputetët se sapo është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme se Bangladeshi e ka njohur shtetin e Kosovës.

"Uroj që edhe më tutje të ketë njohje të reja të shtetit të Kosovës", tha nënkryetari Haliti.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, (amendamenti 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 81, paragrafi1), Projektligji nr. 05/L-137 për ratifikimin e marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, Projektligji nr. 05/L-149 për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe Projektligji nr. 05/L-151 për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST SH.A. dhe operatorit të sistemit, të transmisionit dhe tregut-KOSTT SH.A, janë shtyrë për mbledhjen plenare të radhës. Kjo, për arsye se këto marrëveshje kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve dhe për proces votimi nuk pati kuorum.

Deputetët kanë përfunduar mbledhjen sotme me pyetje parlamentare.

 

 

Vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditVazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditVazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit