Lajmet e fundit

Nga vizita në Shqipëri e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Enjte, 23.02.2017




Me ftesë të kryetarit të Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, ka realizuar një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, më 20 - 22 shkurt 2017.

Anëtarët e Komisionit, të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare, gjatë kësaj vizite zyrtare u pritën nga nënkryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Valentina Leskaj.

Në këtë takim u diskutua dhe u vlerësua ndihma jashtëzakonisht e çmueshme që autoritetet dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, po japin për Republikën e Kosovës, si në rrafshin e integrimeve evropiane, ashtu edhe për përfaqësimin dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks në Këshillin e Evropës, në UNESCO dhe në EUROPOL.

Nënkryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, në lidhje me çështjen e mbajtjes padrejtësisht të Ramush Haradinajt në Francë nga ana e autoriteteve franceze, theksoi se kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë, me lirimin e tij.

Takimi i radhës u mbajt me kryetaren e Nënkomisionit për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore, Dhunës në Familje, Olta Xhaçkaj, ku ishin të pranishëm edhe anëtarë tjerë të këtij nënkomisioni. Në këtë takim u shtjelluan çështjet më specifike që kanë të bëjnë me legjislacionin e fushës së të drejtave të njeriut, me theks të mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve, përvojat dhe sfidat.

Anëtarët e Komisionit më pas u takuan me Fatmir Xhafajn, kryetar i Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Në këtë takim ata u njoftuan me fushëveprimin e këtij Komisioni si dhe për reformën e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, e cila është në proces.

Takimi i fundit ishte ai me Avokatin e Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani.

Në këtë takim, mes tjerash, anëtarët e Komisionit, u njoftuan me kontributin shumë të madh që Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë ka dhënë për anëtarësimin me të drejta të plota të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, në organizata dhe forume ndërkombëtare të Ombudsmanëve.

 

Nga vizita në Shqipëri e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...