Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 22.02.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, të drejtuar nga Nait Hasani, kryetar, i fituar ishte ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili para deputetëve ka raportuar lidhur me gjendjen në arsimin e lartë. Po ashtu, të pranishëm në komision ishin kryetari i Këshillit për cilësi nga Agjencioni për akreditim, Blerim Reka, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Kryetari i komisionit, Hasani, në hapje të takimit, paraqiti disa kërkesa lidhur me gjendjen në arsimin e lartë, që kanë dalë si problematika, duke u nisur nga testi i PISA-s, nostrifikimi i diplomave nga Fakulteti i Edukimit, si dhe nostrifikimi i diplomave nga Republika e Shqipërisë.
Ministri Bajrami, prezantoi para deputetëve rezultatet dhe të arriturat që ministria që ai drejton ka realizuar gjatë periudhës dyvjeçare. Gjatë raportimit, ministri deklaroi se është hartuar një rezolutë e cila është shpërndanë në të gjitha nivelet që veprojnë në kuadër të ministrisë. Tutje ai shtoi se i është dhënë mbështetje e plotë ngritjes së buxhetit dhe cilësisë në arsim.
Ministri i Arsimit theksoi po ashtu se është arritur stabilitet në qeverisje dhe në universitete. Sipas tij, nga vlerësimet e fundit është bërë progres simbolik, përderisa arsimi universitar ka pozitë më të favorshme në rajon. Përveç kësaj, ministri e ceku edhe dhënien e bursave shtetërore për studentë brenda dhe jashtë vendit.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, paraqitën shumë shqetësime dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit, lidhur me problemet në këtë fushë. Ndërkohë, si çështje kyçe u përmend nostrifikimi i diplomave të fituara në Shqipëri si dhe mos akreditimi i disa programeve lëndore në Fakultetin e Edukimit.
Përfaqësuesit kompetentë, u përgjigjen në pyetjet e deputetëve dhe u zotuan se janë duke punuar me përkushtim për evidentimin dhe eliminimin e të gjitha barrierave dhe burokracisë administrative shtetërore.