Lajmet e fundit
Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi
E Mërkure, 22.02.2017
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka pritur sot një delegacion zyrtar nga Turqia, të udhëhequr nga Dr. Öner Güner, Drejtor Gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të "Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi".
Kryetarja e Komisionit znj. Flora Brovina, pas përshëndetjeve vlerësoi lartë marrëdhëniet midis dy shteteve, si në fushën e shëndetësisë edhe në fushat tjera, duke theksuar ndihmën e dhënë nga Turqia për popullin e Kosovës që në vitet e luftës dhe në vazhdimësi. Gjithashtu ajo vlerësoi marrëdhëniet e veçanta Kosovë- Turqi dhe mirëkuptimin që po gjen Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale me Ministrinë e Shëndetësisë Turke.
Miratimi i ligjit për emergjencën, theksoi ajo, ka hapur rrugën për implementimin e këtij ligji dhe ne mirëpresim përvojën tuaj në këtë drejtim dhe sidomos mundësi për financim. "Turqia në vazhdimësi na ka mbështetur në krijimin e kushteve si ligjore, infrastrukturore ashtu edhe profesionale shtoi znj. Bronvina, të cilën sot ne e vlerësojmë shumë, se këmbimi i përvojave midis ekspertëve të dy vendeve rrit mundësinë e ofrimit edhe të shërbimeve që më parë nuk janë ofruar në Kosovë".
Dr. Öner Güner, Drejtor Gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, përshëndeti punën e Komisionit dhe përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e ligjeve të Kosovës, në fushën e shëndetësisë. Ai theksoi se shteti Turk është në dijeni të gjendjes aktuale të shëndetësisë Kosovare dhe Turqia do të jetë përkrah jush për përmirësimin e kësaj situate me projekte dhe ndihmë konkrete.