Lajmet e fundit
Takime të shumta bilaterale midis përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës dhe delegacioneve nga institucione dhe vende evropiane
E Hënë, 20.02.2017
Sot, në kuadër të punimeve të Samitit të komisioneve të punëve të jashtme të vendeve të Evropës, i cili po mbahet në Prishtinë, u zhvilluan edhe një varg takimesh bilaterale midis përfaqësuesve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mysafirëve të shumtë nga vendet dhe institucionet evropiane.
Kështu, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, u takua me përfaqësuesit e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentin Italian.
Po ashtu, edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, takoi parlamentarët italianë, si dhe zv/kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Estonisë, Keit Pentus-Rosimannus.
Duke theksuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit midis të dyja vendeve, sidomos në fushën e shërbimeve elektronike, Keit Pentus-Rosimannus konfirmoi mbështetjen e shtetit estonez për Kosovën në të gjitha iniciativat integruese në të ardhmen.
Eurodeputetja, njëherësh raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, takoi kryetarët e Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës: Zenun Pajaziti, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së, Pal Lekaj, kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së, Mufera Shinik, kryetare e Grupit Parlamentar 6+, si dhe Valdete Bajrami, kryetare e Grupit Parlamentar NISMA.
Në të gjitha takimet tema të diskutimit ishin, ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Znj. Tanja Fajon kishte interes për t'u takuar me të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare në mënyrë që të marrë një pasqyrë të gjerë të situatës aktuale politike. Ajo në veçanti ishte e interesuar për çështjen e kalimit të damarkacionit në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar të dijë nëse grupet parlamentare nga pozita dhe opozita mund të kenë një qëndrim të përbashkët në këtë drejtim.
Znj. Fajon, poashtu pati takim edhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
Në margjina të samitit, u zhvilluan edhe shumë takime të tjera dypalëshe.
Samiti dhe takimet vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.