Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta
E Hënë, 20.02.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar sot vizitën zyrtare në Shqipëri, me pritjen që i rezervoi homologu i tij, Ilir Meta.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, të dy kryeparlamentarët biseduan për raportet e shkëlqyera që të dy vendet tashmë kanë shtrirë pothuajse në çdo sferë, ndërsa theksuan interesimin për të intensifikuar dhe thelluar më tej ato.
Kryeparlamentari Veseli tha se vizita e tij në Shqipëri, menjëherë pas përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka simbolikën e saj të falenderimit për mbështetjen e madhe të Shqipërisë ndaj shtetit të Kosovës.
Veseli tha se Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë dhe synime të qarta euro-atlantike.
"Kosova mund të përfitojë përvoja të mira nga rrugëtimi i Shqipërisë në këtë proces", theksoi kryetari Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosova duhet të kryej obligimet e saj ndërkombëtare, ndërsa të gjithë përfaqësuesit politikë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se marrëdhëniet midis Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, tashmë kanë hyrë në një nivel të ri bashkëpunimi.
Ai shprehu edhe njëherë mbështetjen e parezervë të shtetit shqiptar për Kosovën në të gjitha rrafshet, ndërsa, në mënyrë të veçantë, në procesin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Meta theksoi mbështetjen e plotë për realizimin e Marrëveshjes së demarkacionit midis Kosovëss e Malit të Zi, proces ky, i cili, sipas kreu të Kuvendit të Shqipërisë, do të zhbllokonte procesin e liberalizimit të vizave për qyetarët e Kosovës dhe do t'i jepte hov të ri procesit të integrimit evropian të saj.
Meta vlerësoi lart maturinë e institucioneve të Kosovës karshi provokimeve të fundit të Serbisë, ndërsa së bashku me kryetarin Veseli, shprehën edhe njëherë keqardhjen për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.