Lajmet e fundit
Nga punimet e Samitit të komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të vendeve të Evropës
E Hënë, 20.02.2017
Nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u mbajt sot Samiti i komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Evropës, i cili do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme.
Pjesëmarrës në këtë samit ishin përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore.
Panelistët dhe pjesëmarrësit e tjerë gjatë ditës së sotme diskutuan për perspektivat e zgjerimit të BE-së, përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare, si dhe për krizën e emigracionit.
Gjatë panelit të parë temë diskutimi ishte perspektiva e zgjerimit të BE-së, hapja e dyerve për vendet Ballkanike, që u moderua nga deputeti Elmi Reçica, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës se Kosovës.
Reçica gjatë hapjes së këtyre punimeve theksoi faktin se ky samit ofron mundësi të shkëlqyera për shkëmbimin e mendimeve dhe ideve për të gjithë të pranishmit. „Besoj fuqishëm se do të kemi diskutime të dobishme, të cilat do të ndikojnë që të ndërtojmë një arkitekturë të sigurisë regjionale, e cila do t‘i kontribuonte jo vetëm regjionit, por edhe mbarë Evropës. Vlerësoj lart kontributin tuaj për paqe, prosperitet dhe bashkëpunim mes shteteve dhe kombeve", tha Reçica.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë adresimit të tij në këtë samit fillimisht ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit ndërkombëtar, si dhe përgëzoi Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për organizimin e këtij samiti.
"Takimet e një formati të tillë janë shprehje e qartë e përkushtimit të përbashkët të vendeve tona për thellim të bashkëpunimit të gjithanshëm institucional, në funksion të agjendës evropiane të integrimit", theksoi fillimisht Veseli, ndërkaq, ka falënderuar shtetet që ata përfaqësojnë për kontributin e dhënë në procesin e shtetndërtimit të vendit tonë.
Kryekuvendari Veseli, më pas shtoi: "Vendet e rajonit tonë, si asnjëherë më parë në histori, ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike, vizionin politik dhe aspiratat e qytetarëve tanë për të qenë qytetarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian".
Kohëve të fundit, vijoi kryparlamentari Veseli, të gjithë jemi dëshmitarë se Bashkimi Evropian është duke kaluar momente kritike. Ka zëra që flasin për një krizë pa shteg dalje. Të tjerë flasin për skenarë të shpërbërjes. Natyrshëm, kjo është duke shkaktuar huti dhe ndonjëherë edhe pasiguri për të ardhmen në mesin e qytetarëve tanë. Jam i mendimit se këto pikëpamje shpejt do të përgënjeshtrohen. Vullneti për të qëndruar të bashkuar është shumë herë më i fortë se tendencat që kërkojnë të kundërtën.
Në vijim kreu i Kuvendit Veseli tha:" Bashkimi Evropian është shumë më shumë se sa burokracia e një grupi mekanizmash institucional. Bashkimi Evropian është besimi tek demokracia liberale, si modeli më i avancuar i rendit politik, është besimi tek liritë dhe të drejtat e njeriut, si vlera të pacenueshme, është besimi tek sundimi i ligjit, si forma e vetme legjitime e ushtrimit të pushtetit, është besimi tek ekonomia e tregut të lirë, si modeli më efikas për të siguruar zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, është besimi tek shoqëria sekulare, si alternativa më e mirë që garanton paqen dhe bashkëjetesën mes komuniteteve me kultura dhe religjione të ndryshme.
E ardhmja e shoqërive tona, në kontinentin evropian, nuk mund të mendohet pa këto vlera, prandaj është koha që të angazhohemi edhe më shumë në mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre, qoftë si shtete të veçanta, qoftë në format e bashkëpunimit ndërshtetëror", theksoi Veseli, duke shtuar se është koha që edhe Ballkani të thotë fjalën e tij në këtë drejtim.
Duke folur për raportet e Kosovës me shtetet fqinje, kreu i Kuvendit vlerësoi se në të gjitha fushat, shteti i Kosovës ka ndërtuar raporte shumë të mira, duke përmendur me këtë rast Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, si dhe dialogun e hapur me Serbinë.
Duke folur për dialogun me Serbinë, ai tha se kemi arritur një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh, të cilat ndonëse po hasin në vështirësi, duhet të zbatohen.
"Nuk duhet lejuar që retorika e ashpër nacionaliste, që bëhet për fushata elektorale, të dëmtoj frymën dhe efektivitetin e dialogut", tha kreu i Kuvendit Veseli.
Për qytetarët serbë të Kosovës, vijoi ai më pas, garancia më e madhe janë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, e jo trenat me simbolika që nxisin urrejtje dhe muret e ndarjes. Dialogu është standard demokratik dhe evropian, nga i cili të gjithë duhet të dalin të fituar. Dialogu është shpresë për qytetarët e të dy vendeve se e ardhmja do të jetë krejtësisht e ndryshme prej të kaluarës. Është koha për ta pranuar se retorika nacionaliste nuk mund ta zëvendësojë nevojën e qytetarëve tanë për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe siguri sociale, u shpreh Veseli, duke shtuar se, fokusimi i përbashkët në këtë drejtim është vendimtar për procesin e integrimit evropian të rajonit tonë. Sipas tij, pa kapërcyer prapambetjen ekonomike dhe stagnimin ekonomik nuk mund të ecet përpara në këtë proces.
"Është e qartë se qeveritë kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm, por edhe parlamentet duhet të japin kontributin e tyre përmes legjislacionit dhe mundësive të mëdha që ofron diplomacia parlamentare.
Tanimë është krijuar një traditë e mirë me zhvillimin e rregullt të takimeve parlamentare të rajonit në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Besoj fuqishëm se edhe ky Samit, që po zhvillon punimet sot në Prishtinë, do t'i shërbej të njëjtit qëllim të afrimit me të madh me njeri tjetrin, këmbimit të përvojave dhe hapjes së rrugëve të reja të bashkëpunimit. Si asnjëherë më parë e ardhmja është në duart tona", përfundoi kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Tutje foli edhe kryesuesja e zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuese speciale e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova. Fjalimin e saj ajo e filloi me një mesazh: BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë rajonin dhe Kosovën.
Znj. Apostolova theksoi faktin se BE-ja do të vazhdojë të investojë dhe të ndihmojë në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. "Nuk ka dyshim që Ballkani Perëndimor të vetmen të ardhme e ka në BE", tha ajo duke shtuar se Kosova ka arritur në një moment sfidues dhe se tashmë ka nënshkruar MSA-në, ndërkaq, përmendi se kjo marrëveshje do ta ndihmojë Kosovën ta forcojë sundimin e ligjit. Ajo tha mes tjerash se zbatimi i kësaj marrëveshje kërkon angazhim të institucioneve dhe se agjenda evropiane tregon përkushtimin serioz të Kosovës për një qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit. Znj. Apostolova vlerësoi se Kosova ka shënuar përparim në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, ndërkaq përmendi dy kriteret kyçe të cilat duhet përmbushur: miratimi i demarkacionit me Malin e Zi, si dhe lufta kundër korrupsionit. "I inkurajoj politikanët tuaj që të gjejnë konsensus për t'i përmbushur këto dy kushtet e mbetura për liberalizim të vizave", tha ajo. Pasi ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Apostolova përmendi edhe incidentin me trenin dhe murin. "Këto kanë paraqitur tension dhe me vjen mirë që e keni tejkaluar me qetësi. Dialogu Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm sepse vetëm me anë të dialogut arrihet paqja në rajon", tha Apostolova.
Ndërkaq, anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, mes tjerash tha se viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të madh, duke përmendur me këtë rast edhe marrëveshjen e MSA-së. Ajo vlerësoi se është tejet e rëndësishme për Kosovën që të përfundohet procesi i liberalizimit të vizave. "Jemi të përkushtuar që këtë ta bëjmë realitet", tha Fajon, duke shtuar në vijim se Kosova ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, duke e vlerësuar si një proces të zhvilluar mirë. Mirëpo, tha se në këtë segment duhet të punohet edhe më tutje.
Sa i përket çështjes së demarkacionit, znj. Fajon ka ftuar parlamentarët që të mos i ndalojnë proceset, duke shtuar se kjo marrëveshje duhet të ratifikohet dhe po ashtu sipas saj duhet të zhvillohet me tutje edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke përmendur sfidat dhe krizat nëpër të cilat po kalon BE-ja, znj. Fajon tha se ne duhet të jemi më të fuqishëm se me parë dhe se për zgjerimin e BE-së na nevojitet ndihma e njeri tjetrit.
Në vijim folën edhe Dhurata Hoxha, ministre e Drejtësisë, z. Karel Schëarzenberg, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Dhoma e Deputetëve, nga Republika Çeke, z.Hasan Basri Kurt, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Kuvendi i Madh Kombëtar, Turqi, z. Anne Mulder, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Dhoma e Përfaqësuesve, Holandë, kryetarja e Komisionit përt Integrime Evropiane, Njomza Emini, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.
Pjesën e dytë të punimeve, samiti vijoi me temën; "Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare/tejkalimi i barrierave politike të rajonit".
Xhavit Haliti, Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, moderator i këtij samiti, ia kaloi fjalën presidentit të Republikës se Kosovës, z. Hashim Thaçi.
Në fjalën e tij, presidenti i Republikës se Kosovës, z. Hashim Thaçi, midis të tjerave tha se si Kosova po angazhohet në tri rrafshe që të forcojë bashkëpunimin e vet më të mirë. Po punojmë, nënvizoi ai, në rrafshin e brendshëm, bilateral dhe atë rajonal. "Kosova festoi 9- vjetorin e pavarësisë, e njohur nga 113 shtete dhe po punohet për njohje të reja.
Vitin e kaluar ishim shumë të suksesshëm në aplikim-anëtarësim në organizata ndërkombëtare si UEFA, FIFA Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Sivjet synojmë aplikim-anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESKO" tha presidenti Thaçi.
Lidhur me liberalizimin e vizave, presidenti Thaçi, tha: "Sfida e vetme mbetet Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi.
Kosova duhet të përfundojë Demarkacionin që pjesën e liberalizimit të vizave t'ia lërë Bashkimit Evropian".
Më pas, ai theksoi se në Kosovë ka një unitet të plotë sa i përket të ardhmes evropiane, qoftë nga të moshuarit qoftë nga të rinjtë. Duke vijuar me problemet e të ardhmes së BE-së, pas BREKSIT-it, presidenti Thaçi, tha: "Bota po ndryshon, Evropa po ndryshon, Bashkimi Evropian pa Britaninë ka më pak kuptim, më pak vizion dhe më pak substancë". Sidoqoftë, shtoi ai: "Kosova do ta ruajë partneritetin strategjik me Britaninë e Madhe sikurse me SHBA-të".
E ftoj Bashkimin Evropian, që Ballkanin Perëndimor ta shikojë në rrafshin strategjik e jo procedural", ka përfunduar Thaçi.
Samiti vijoi punimet me fjalët e mbajtura nga znj. Alexandra Papadopoulou, shefe e Misionit të EULEX-it, Edita Tahiri, ministre për Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Arta Dade, kryetare e Komisionit për Politiken e Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.
Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë fjalës së tij tha se bashkëpunimi i Kosovës me vendet e rajonit është i domosdoshëm. Një bashkëpunim i tillë me rajonin, minimizon kërcënimet qofshin ato të brendshme apo të jashtme nga secili shtet. Prania e NATO-s dhe faktorët ndërkombëtar vazhdojnë të jenë faktor kryesor i paqes në vend dhe rajon dhe Republika e Kosovës e ka si synim strategjik, anëtarësimin në strukturat e NATO-s dhe BE-së.
"Kosova do të vazhdojë të punojë për sigurinë e saj të brendshme dhe të jashtme dhe se synimi për ndërtimin e forcave të armatosura do të ndihmojë vendin. Po synohet që Forca e Armatosur e Kosovës të ndërtohet mbi parimet e standardeve më të larta të Aleancës Euroatlantike", ka përfunduar Demolli.
Më tej vijuan fjalën Mimoza Ahmetaj, ministre e Integrimeve Evropiane, David Geerts, anëtar i Dhomës se Përfaqësuesve në Parlamentin e Belgjikës dhe Fabrizio Cicchitto, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë.
Kriza e emigracionit / refugjatët, ishte tema e pjesës së tretë gjatë samitit, e cila është moderuar nga Puhie Demaku, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjatë debatit, të pranishmëve u është adresuar kryeministri Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Ai me këtë rast foli për përkushtimin e Qeverisë, përkatësisht angazhimet e saj në zhvillimin ekonomik, këmbëngulësinë që të lozë rol stabiliteti në rajon e më gjerë, si dhe në luftën kundër terrorizmit dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë të qytetarëve.
Zhvillimin ekonomik, kryeministri i vendit e cilësoi si masën më adekuate në luftë kundër emigrimit ilegal.
Në vijim, fjalën e mori ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni.
Duke folur për migrimin ilegal, ministri Hyseni, me këtë rast vuri në spikamë të dhënat e dy viteve më parë, kur nga Kosova migruan drejt shteteve të BE-së një numër enorm i qytetarëve të vendit, 17 mijë. Por, sqaroi ai, përkundër kësaj, gjatë vitit që lamë pas kemi pasur rënie për 12 herë të këtij numri të azilkërkuesëve. Ai me këtë rast njoftoi se Ministria e Punëve të Brendshme është në fazën finale të hartimit të Ligjit për migrimin dhe azilin.
Të pranishmëve në këtë samit më pas u janë drejtuar edhe znj. Anne Brasseur, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme e Parlamentit të Luksemburgut dhe kryesuese e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Egidijus Vareikis, zëvendës kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit të Lituanisë, Denis MacShane, ekspert i politikave të rajonit të Ballkanit si dhe ish-ministër për Evropë dhe Ballkan të Britanisë së Madhe, Maureen O'Sullivan, zv. kryetare e Komisionit të përbashkët për Punë të Jashtme, Tregti, Mbrojtje e Parlamentit të Irlandës dhe Keit Pentus - Rosimannus, zv. kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme e Parlamentit të Estonisë.
Diskutuesit me këtë rast vlerësuan se duhet evituar shkaqet e migrimit, ndërkaq, u kërkua një mirëkuptim edhe më i madh ndaj njerëzve në nevojë.
Samiti do të vijojë punimet edhe nesër, nga ora 9: 30.