Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare
E Marte, 14.02.2017
Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot vijoi punimet e seancës plenare, të filluar të enjten, nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, me hedhjen në votim të propozim-rezolutës në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, formimit të Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe Propozim-rezolutës në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë. Për të tria këto pika, nuk pati kuorum për vendimmarrje.
Seanca vazhdoi me interpelancën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur nga tetë deputetë nënshkrues, në lidhje me përgjegjësinë mbi Ligjin e sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Deputeti Visar Ymeri, në cilësinë kërkuesit të interpelancës, pasi parashtroi një sërë vërejtjesh dhe paqartësish për programin e sigurimeve shëndetësore, si dhe për gjendjen e rëndë të shëndetësisë në përgjithësi në Kosovë, arsyetoi domosdoshmërinë e sqarimeve të mëtejshme nga kryeministri i Kosovës lidhur me përgjegjësinë mbi Ligjin e sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Duke marrë fjalën në interpelancë, kryeministri Isa Mustafa, ndër të tjera tha se zhvillimi i shëndetësisë në Kosovë është i përcaktuar si prioritet i qeverisë. Ai theksoi se lypsen investime kapitale për zhvillimin e shëndetësisë në përgjithësi dhe investime në pajisje të reja të teknologjisë moderne, furnizim të rregullt me barna dhe ngritjen profesionale të personelit mjekësor.
Ai tha se qeveria është e vetëdijshme se projekti për sigurimet shëndetësore në Kosovë është mjaft i vështirë dhe sfidues. Qeveria, sipas tij, ka filluar të përgatisë të gjitha procedurat për të aktivizuar sistemin e sigurimeve shëndetësore, si një komponentë mjaft e rëndësishme në zhvillimin e shëndetësisë.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se ishte planifikuar që duke filluar nga janari i këtij viti, qoftë edhe me një skemë të thjeshtë, të fillonte mbledhja e premiumeve, por, pasi ka përfunduar faza studimore, është vlerësuar se nevojitet edhe pak kohë që përgatitjet të jenë sa më të kompletuara.
"Ligji realisht parasheh datë fikse për të filluar mbledhjen e premiumeve, nga janari i këtij viti, por qeveria për ta kompletuar krejt programin e sigurimeve shëndetësore, ka shtyrë fillimin e mbledhjes së premiumeve, prej 1 korrikut 2017", theksoi kryeministri Mustafa.
Të gjitha grupet parlamentare, nëpërmjet deputetëve përfaqësues, arsyetuan qëndrimet e tyre lidhur me sigurimet shëndetësore për Kosovën. Pothuajse të gjithë pranuan gjendjen e rëndë të trashëguar dhe problematikën e gjithanshme të sistemit të shëndetësisë në Kosovë. Shtyrja në kohë, disa herë, e fillimit të skemës së sigurimeve shëndetësore në Kosovë, mungesa e fondeve, gjendja ekonomike e popullsisë, ishin disa nga shqetësimet që u ngritën nga ana e tyre.
Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, interpelanca vazhdoi me diskutimet e deputetëve. Ata theksuan gjendjen e rëndë të shëndetësisë në Kosovë dhe gjendjen e vështirë të qytetarëve përball kësaj shëndetësie. Ata sollën argumente të ndryshme për nevojën e madhe të qytetarëve për ndryshimin e kësaj situate.
Pas diskutimeve, në cilësi të iniciuesit të kësaj interpelance, deputeti Visar Ymeri prezantoi tekstin e një propozim-rezolutë, për të cilën kërkoi mirëkuptimin edhe të grupeve të tjera parlamentare për ta miratuar.
Pas harmonizimit me grupet e tjera parlamentare, propozim-rezoluta u miratua nga deputetët.
Seanca plenare, nën drejtimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, vazhdoi punimet me hapjen e debatit parlamentar në lidhje me Forcat e Sigurisë së Kosovës, sipas kërkesës së deputetit Daut Haradinaj, i mbështetur edhe nga 10 deputetë tjerë nënshkrues.
Duke arsyetuar thirrjen e këtij debati, deputeti Haradinaj theksoi se bazuar në pjekjen e kushteve politike dhe zhvillimet aktuale në Kosovë, ka ardhur koha që Kosova ta hedhë një hap serioz dhe të sigurt drejt shndërrimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Në fjalën e tij, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se ka ardhur koha për transformimin e domosdoshëm të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe jo vetëm thjesht si ndryshim emërtimi, por si ndryshim konceptual, në qëllim, strukturë dhe kapacitete.
Ai bëri të ditur se pas përfundimit të procesit të rishikimit të strategjisë të sektorit të sigurisë gjatë viteve 2012 - 2014 dhe pas miratimit të rishikimit të analizës, me miratim të Qeverisë, Ministria e FSK-së, mbi bazën e rekomandimeve të rishikimit të strategjisë, ka përgatitur amendamentet kushtetuese, të cilat përmes qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, i ka proceduar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për të vlerësuar nëse amendamentet e propozuara prekin ndonjë të drejtë apo liri të garantuar në kapitullin 2 Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin e saj, të datës 31 mars 2014, bëri të ditur Demolli, ka aprovuar propozim-amendamentet, duke vlerësuar se të njëjtat nuk pakësojnë ndonjë të drejtë apo liri të përcaktuar në kapitullin e dytë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
"Vlen të theksohet se në një nga amendamentet më përmbajtësore, amendamentit 12, nr. 35, me të cilin propozohet ndryshimi i nenit 126 të Kushtetutës së Kosovës, përveç ndryshimit të emërtimit të FSK-së në FAK, propozohet edhe ndryshimi i qëllimit të forcës, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, duke kontribuuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global", theksoi ministri Demolli.
Ai bëri të ditur gjithashtu, se Ministria e FSK-së ka krijuar edhe draftligjin për ndryshimin e FSK-së në FAK, të cilin ia ka propozuar dy herë qeverisë, në mars 2015 dhe tetor 2016.
Më tej ministri vijoi me proceset praktike dhe teorike të përgatitjes për transformimin e FSK-së, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.
Në fund, Demolli theksoi se Ministria e FSK-së është e gatshme për këtë ndryshim, ndaj mirëpret vendimin e Kuvendit, me qëllim që t'i hapet rruga këtij procesi.
Të gjitha grupet parlamentare, PDK, LDK, VV, AAK, Nisma dhe 6 +, nëpërmjet arsyetimeve të përfaqësuesve të tyre, me argumente të shumta u shprehën se ka ardhur koha për ndryshimin e domosdoshëm të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ata u shprehën në mbështetje të kërkesës së Ministrisë së FSK-së për të filluar proceset e ndryshimit.
Po ashtu, pothuajse të gjithë deputetët që morën fjalën gjatë këtij debati, u shprehën në mbështetje të procesit të ndryshimit të FSK-së në FAK. U potencuan, gjithashtu, edhe pengesat me të cilat përballet ky proces.
Pas diskutimeve, deputeti Daut Haradinaj, si kërkues i këtij debati, paraqiti një propozim-rezolutë, e cila pas harmonizimit me grupet e tjera parlamentare, u miratua nga Kuvendi.
Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të disa projektligjeve, të cilat para deputetëve i prezantuan ministrat e resorëve përkatës. Kështu, Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-214, Projektligjin për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndërmjetësim, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës.
Votimi i këtyre projektligjeve pritet të bëhet nesër, në vazhdimin e seancës, duke filluar në orën 10:00.