Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 14.02.2017
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga zv/kryetarja e parë e Komisionit, Selvije Halimi, ka shqyrtuar sot raportin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-033, dhe ligjit nr.03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-035.
Me këtë rast, kryesuesi i grupit të punës, Armend Zemaj, pasi prezantoi këtë raport, paraqiti edhe disa nga rekomandimet e grupit të punës. Mes tjerash u tha se duhet të hartohen ligje të reja për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe të ketë harmonizim mes këtyre dy ligjeve. Po ashtu, u kërkua që Ministria e Drejtësisë të ndajë buxhet shtesë për këto dy institucione, si dhe të ketë rritje të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional.
Raporti me të gjeturat dhe rekomandimet e grupit të punës u përkrah nga Komisioni për procedim në seancë plenare.
Tutje, Komisioni pasi shqyrtoi raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 05/L-122 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, u dakordua që ky raport t'i kthehet Komisionit Funksional për shqyrtim, me theks të veçantë amendamenti 11, paragrafi 4, siç u tha, bie ndesh me Ligjin për ndërmarrjet publike.
Në vijim, Komisioni ka përkrahur edhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 05/L- për Shërbime, si dhe miratoi në parim këto projektligje: Projekt-kodin nr. 05/L-146 i Drejtësisë për të mitur, Projektligjin nr. 05/L-145 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2004/26 për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin nr. 05/L-140 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin nr. 05/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-007 për procedurën jo-kontestimore, si dhe Projektligjin nr. 05/L-144 për Noterinë. Po ashtu, Komisioni formoi edhe grupet e punës për këto projektligje.
Krejtësisht në fund, Komisioni vendosi që gjatë javës së ardhshme të ftojë për raportim në Komision, ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe ministren për Dialog, Edita Tahiri.