Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Hënë, 13.02.2017




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, ka raportuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veriun e Mitrovicës.

Temë kryesore në këtë takim ishte prezenca, siç u tha, e personave me uniforma ushtarake serbe në veri, bazuar në informatat e mediave.

Anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime të shumta nga drejtori Maxhuni, lidhur me gjendjen e aktuale të sigurisë në veri, si dhe për personat me uniforma ushtarake serbe në këtë pjesë, pajisjet që ata kanë pasur, rreziqet eventuale, si dhe për ditën kur ata kanë qëndruar në territorin e Kosovës. Ata vlerësuan se kjo çështje ka ngjallur shqetësime tek gjithë opinioni.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dha një pasqyrë të gjerë të kësaj ngjarje. Ai sqaroi se bëhet fjalë për OJQ-në "Airsoft- Club" dhe se asokohe kanë zhvilluar një aktivitet sportiv. Ai tha se kjo organizatë posedon licencë konkrete dhe numër fiskal zyrtar nga Ministria e Administratës Publike.

Ai sqaroi se kjo organizatë jo qeveritare gëzon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të vepruar si organizatë, ashtu sikurse operojnë OJQ-të e tjera. Ndërkaq, duke folur për numrin e madh të organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë , tha se presin që ministritë përkatëse t'i trajtojnë kriteret që duhet të kenë organizatat joqeveritare.

Për ngjarjen në fjalë, Maxhuni tha se ka ndodhur gjatë muajit gusht të vitit 2016 dhe se nuk bëhet fjalë për pajisje me armë zjarri.

"Duken si armë, ndërkaq në realitet nuk shërbejnë si armë zjarri", tha Maxhuni, duke informuar anëtarët e Komisionit se ky aktivitet i kësaj OJQ-je ka qenë i monitoruar gjatë gjithë kohës nga zyrtarë policorë dhe se
pajisjet e tyre paraprakisht janë kontrolluar nga policia.

Maxhuni tha se mjetet që janë përdorur janë pajisje përsëritëse dhe se këto pajisje shfrytëzojnë sfera plastike si municion për qëllime sportive.

Pas sqarimit të kësaj pjese, për të cilën ngjarje edhe ishte i ftuar në raportim, drejtori Maxhuni dha edhe informata shtesë për çështje të tjera që u ngritën nga anëtarë të Komisionit.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së