Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 09.02.2017




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti), zhvilloi një interpelancë me kryeministrin Isa Mustafa, miratoi një rezolutë dhe formoi një komision ad-hoc.

Fillimisht, deputetët adresuan çështje të ndryshme në pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të tyre iu përgjigjën: zv/kryeministri Ramiz Kelmendi dhe ministrat Ferat Shala, Arban Abrashi dhe Edita Tahiri.

Në vazhdim, Kuvendi miratoi Rezolutën në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, të cilën edhe njëherë para deputetëve e paraqiti deputeti Ismail Kurteshi.
Rezoluta, e harmonizuar paraprakisht midis grupeve parlamentare, u miratua nga Kuvendi.

Ndërkaq lidhur me rezolutën e paraqitur nga kryetari i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk pati kuorum për vendimmarrje. Po ashtu, kuorum për vendimmarrje nuk pati as për formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb. U formua, ndërkaq, komisioni ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.

Me propozim të kryetarit të GP të PDK-së, Zenun Pajaziti, deputetja Flora Brovina u zgjodh kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në vend të deputetit Nehat Baftiu.
Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, i mbështetur edhe nga 14 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë.

Duke prezantuar arsyet e thirrjes së kësaj interpelance, deputeti Selimi vlerësoi se në muajt e fundit në veri të vendit kishte një dinamikë të përkeqësimit të gjendjes. Ai tha se në vend që të respektohej sovraniteti i Kosovës, qeveria ka vazhduar ta mohojë sovranitetin e shtetit, duke pranuar ta negociojë këtë me Serbinë në Bruksel. Me anë të negociatave, sipas tij, u legalizuan strukturat paralele serbe, duke e ndarë policinë në baza etnike. Duke folur rreth murit në pjesën veriore të Mitrovicës, Selimi tha se ai u rrënua, por u ndërtua një tjetër pranë tij. Qëllimi, sipas tij, është krijimi i një pengese për qarkullim me pjesën jugore të Mitrovicës.
Selimi tha se krijimi i skenarëve të luftës së ftohtë e dëmton rëndë shtetin e Kosovës, rolin e faktorit shqiptar në rajon dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Duke marrë fjalën në interpelancë, kryeministri Isa Mustafa tha se veriu i vendit është pjesë e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e katër komunave në këtë pjesë, janë qytetarë të Republikës, si gjithë të tjerët, prandaj edhe problemet duhet të zgjidhen në bazë të ligjit dhe në bashkëbisedim me qytetarët.

Mustafa tha se qeveria dhe institucionet e tjera arritën ta mbrojnë sovranitetin e vendit, duke e ndaluar trenin e Serbisë që të hyjë në Kosovë dhe rrënuan murin ilegal në pjesën veriore, në marrëveshje me strukturat lokale të Mitrovicës veriore dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në qeveri.

Kreu i qeverisë tha se përfundimisht, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndërlidhet me shuarjen e të gjitha strukturave paralele serbe në Kosovë dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Gjendja në veri ka ndryshuar pozitivisht dhe kjo është rezultat i dialogut në Bruksel. Këto zhvillime pozitive në veri të vendit krijojnë mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjen e bashkëpunimin midis komuniteteve", theksoi kryeministri Mustafa, duke përmendur fushat në të cilat tashmë institucionet e vendit kanë kontrollin e tyre.

"Dialogu me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së zhvillohet në interes të Kosovës. Kosova përballet me probleme që nuk zgjidhen ndryshe pos përmes dialogut. Si kryeministër konsideroj se nuk ka alternativë tjetër pos dialogut", tha Mustafa.

Në emër të GP të PDK-së, kryetari Zenun Pajaziti theksoi se dialogu është e vetmja rrugë nëpërmjet të cilës mund të zgjidhen pengesat që Kosovës i dalin përpara.

"Jemi të inkurajuar me mënyrën e mirë të zgjidhjes së këtyre problemeve dhe vendosmërinë e institucioneve për të mos lejuar cenimin e sovranitetit të vendit", theksoi Pajaziti. Ai shtroi nevojën e një qëndrimi unik përkitazi me zhvillimet e kësaj natyre, ndërsa ftoi përfaqësuesit e komunitetit serb në parlament dhe në institucione të tjera, që të kthehen në punën e tyre të përditshme.

Ismet Beqiri, kryetar i GP të LDK-së, tha se partia e tij ka shprehur shqetësimin e saj për zhvillimet në veri, duke kërkuar veprimin e institucioneve të Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror.

"Dialogu i Brukselit, megjithëse jo në përmasa të dëshirueshme, ka dhënë rezultate të caktuara në integrimin në një masë të madhe të komunitetit serb dhe normalizimin e gjendjes në veri të vendit. Në të dy rastet provokative të Serbisë, me trenin dhe murin, institucionet tona kanë treguar maturi dhe mençuri, por edhe veprim institucional", theksoi deputeti Beqiri.

Në emër të GP të Vetëvendosjes, deputeti Albin Kurti, duke folur për rrënimin e murit në Mitrovicë, e cilësoi atë perde të teatrit, derisa qytetarët e këtij qyteti i quajti shikues të këtij teatri. Ai tha se qyteti i Mitrovicës është i ndarë me Urën e Ibrit dhe jo me mure.

"Muri i ri ishte si perde teatri, ajo u ngrit para skenës derisa shikuesit po uleshin. Qyteti i Mitrovicës është i ndarë me urën dhe jo me murin si perde", theksoi Kurti. Ai shtoi se Vetëvendosje nuk është kundër dialogut, por, sipas tij, është për dialog me parime.

Kryetari i GP të AAK-së, Pal Lekaj, në fjalën e tij, u fokusua te dialogu i Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se ky dialog nuk i ka sjell Kosovës ndonjë rezultat. Ai tha se Prishtina zyrtare ka shkuar në këtë dialog pa platformë.

"Nga ky dialog, Kosova nuk e ka përfituar liberalizimin e vizave, nuk është pranuar në UNESCO, nuk është e pranuar në OKB dhe nuk ka njohje të reja", theksoi Lekaj, duke shtuar se duhet biseduar, por dialogu duhet pasur qëllim e jo nënshtrim.

Në emër të GP të Nismës për Kosovën, deputeti Zafir Berisha tha se partia e tij është për dialog ndërshtetëror me Serbinë dhe jo në formën aktuale, siç tha ai, me një shtet armiqësor, ndërsa Kosova duke u paraqitur si provincë e atij shteti.

"Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kulmi i një realiteti të hidhur, të cilin po tenton ta krijojë kjo qeveri, duke bërë një bosnjëzim të Kosovës", theksoi deputeti Berisha.
Qëndrimin e GP 6+ përkitazi me zhvillimet në veri, e paraqiti deputeti Cerim Bajrami.

Interpelanca vazhdoi me diskutimet e deputetëve. Deputetë nga grupet parlamentare në pozitë, vlerësuan pozitivisht veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, kundruall ndërhyrjeve të Serbisë, ndërsa ata nga grupet e opozitës, kritikuan qasjen e qeverisë në raport me provokimet e Serbisë dhe dialogun e Brukselit.

Duke marrë fjalën, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, theksoi se në Mitrovicë ka fituar ligji, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, si dhe qytetarët serbë të kësaj pjese. Ai tha se institucionet e Kosovës kanë qenë të vendosura që të shkojnë deri në fund të vendosjen e ligjshmërisë. Veseli theksoi se Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të cenojë jetën e qytetarëve të saj, por do të ruaj sovranitetin dhe tërësinë territoriale.

Kryetari i Kuvendit tha se mesazhi i institucioneve të Kosovës për qytetarët në pjesën veriore është mesazhi i miqësisë, i respektit dhe barabarësisë, por edhe i respektimit të institucioneve të shtetit të Kosovës nga ana e tyre. Ai shtoi se prej 18 vitesh, qytetarët serbë të Kosovës manipulohen dhe nxiten nga pushtetarët e Beogradit, se ‘nëse ka lëvizje të lirë, shqiptarët do të shkojnë dhe do t'i dëbojnë nga shtëpitë e tyre'.

"Qytetarët tanë serbë, kudo që janë, duhet të jetojnë të qetë, bashkë me qytetarë shqiptarë, boshnjakë e të tjerë", theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa paralajmëroi investime në këtë pjesë të Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj, si dhe rindërtime të shtëpive të rrënuara. Ai kërkoi nga qytetarët që të mos i lëshojnë shtëpitë dhe pronat e tyre.

Në një adresim të dytë para deputetëve, kryeministri Isa Mustafa theksoi edhe njëherë përkushtimin e qeverisë që në veri të vendit të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj, duke i trajtuar komunat e asaj pjese në mënyrë të njëjtë me të gjitha komunat e tjera në Kosovë.

Pas diskutimeve, në cilësi të iniciuesit të kësaj interpelance, deputeti Rexhep Selimi prezantoi tekstin e projekt-rezolutës, nëpërmjet të cilës i kërkohej qeverisë që të zbatojë pa vonesë ligjet në fuqi për ndërtimet e paligjshme në veri, të heq çdo lloj pengese për lëvizjen e lirë në Mitrovicë, jo më larg se 30 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të hartojë planin dhe kalendarin e kthimit të qytetarëve shqiptarë dhe rindërtimin e shtëpive të tyre në veri të qytetarit, qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet e 25 gushtit 2015 të nënshkruara në Bruksel, si dhe në vend të negociatave me Serbinë në Bruksel, Kuvendi të angazhohet që të fillojë dialogun me qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serbë, për integrimin e tyre.

Para hedhjes në votim të projekt-rezolutës, fjalën e mori kryetari i GP të AAK-së, Pal Lekaj, i cili kërkoi që në shenjë proteste me zvarritjen e nxjerrjes së vendimit nga autoritetet franceze për lirimin e Ramush Haradinajt, Kuvendi të ndërpresë punimet.

Kryeparlamentari Veseli njoftoi se ky është qëndrim edhe i grupeve të tjera parlamentare dhe në shenjë solidarizimi me Haradinajn, ndërpreu mbledhjen.
Mbledhja vazhdon të martën, në orën 10:00.

 

 

 

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit