Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 08.02.2017




Komisioni për Punë të Jashtme ka mbajtur sot takimin e radhës, të udhëhequr nga Elmi Reçica, kryetar, në të cilin ka raportuar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, lidhur me bisedimet me Serbinë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Tahiri vuri në dukje zhvillimet dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si dhe perspektivën integruese euroatlantike të saj.

Ministrja Tahiri tha se Kosova, nëpërmjet dialogut 6-vjeçar me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbështetjen e madhe të SHBA-së, ka synuar dhe synon ndërtimin e paqes dhe krijimin e fqinjësisë së mirë midis dy shteteve.

Ajo tha se dialogu i Brukselit ka kontribuar drejtpërsëdrejti në avancimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian, duke nënshkruar MSA-në, si fazë e parë e integrimit.

Tahiri tha se një prej qëllimeve të këtij dialogu ka qenë heqja e barrierave që Kosova i ka pasur në rrugën e anëtarësimit në organizata rajonale. Të arritura të tjera, ministrja Tahiri e konsideroi shuarjen e strukturave paralele në veri të vendit, në fushat në të cilat janë arritur marrëveshjet, vendosjen e kufirit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe vendosjen e autoriteteve në pikë-kalimet kufitare në veri. Të arritur tjetër të këtij dialogu, Tahiri e potencoi edhe pajisjen e Kosovës me kodin telefonik të saj.

Në fazën finale të këtij dialogu, sipas saj, tema të diskutimit janë njohja reciproke, demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, temat e reperacionit të luftës, pensionet, depozitat bankare, dëmet kulturore e fetare, ndërsa në kryeagjendë është tema e të pagjeturve dhe pasojat tjera të luftës, që Serbia duhet t'i kompensojë.

"Udhëheqësit e shtetit të Kosovës kanë vendosur të hyjnë në këtë proces paqësor, i cili, sipas nesh, synohet të rrumbullakësohet me njohje reciproke midis dy shteteve, sepse ne konsiderojmë se vetëm njohja reciproke është faktor përcaktues për marrëdhënie fqinjësore", theksoi ministrja Tahiri.

Anëtarët e komisionit nga radhët e grupe parlamentare në pozitë, përgëzuan ministren për këto arritje dhe parashtruan disa pyetje rreth Raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, marrëveshjen për drejtësi, fondin për Ballkanin Perëndimor etj. Ndërsa, deputetë nga radhët e opozitës, me tone kritike adresuan çështje dhe shtruan pyetje për ministren Tahiri, si për qasjen e saj në dialog, ashtu edhe për zhvillimet në veri të vendit, arrestimet e qytetarëve të Kosovës nëpër vende të ndryshme evropiane me fletë-arreste të Serbisë, siç është rasti i Ramush Haradinajt etj.

Kryetari i komisionit, Elmi Reçica, falënderoi ministren Tahiri për sqarimet dhe anëtarët e komisionit për kontributin e tyre në këtë diskutim.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme